Kosova sot kujton 23-vjetorin e betejës së Koshares, e cila u zhvillua më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë jugosllave, ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.
Nën patronatin e presidentes u mbajt edhe manifestimi “Ditët e Shqipes”, ku fillimisht Osmani bëri homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Koshare e më pas mori pjesë edhe në manifestimin qendror për nder të 23-vjetorit të kësaj beteje.
Në fjalën e saj, presidentja Osmani e cilësoi këtë betejë prej me të rëndësishmeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“9 Prilli është ditë e veçantë, në historinë e Republikës së Kosovës, shënon luftën frontale në rajonin e gjerë të brezit kufitar të Koshares me qëllim të dëbimit të forcave pushtuese serbe, nga zona e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me qëllim të çlirimit të vendit tonë. Kjo ishte ndër betejat më të lavdishme të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha ajo.
Data 9 prill në Kosovë shënohet edhe si Dita e Kushtetutës, për të cilën Osmani, tha se u flijuan shumë të rinj e të reja.
“Kushtetuta, akti themeltar i shtetit ndërlidhet kësisoj, me betejën për liri, me gjakimin e saj dhe me vendosmërinë me të cilën gratë e burrat e Kosovës e shprehen haptas në betejën e Koshares, pasi qe Kushtetutën dhe shtetin i kemi, sepse i kishim heronjtë tanë”, vijoi Osmani.
Gjithashtu, ajo u shpreh se beteja e 9 prillit të vitit 1999 dëshmoi se pabarazia në armatim nuk është çelës përcaktues për fitoren në luftë,
“Beteja e Koshares tregoi po ashtu se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar çdo gjë për të, janë më të fuqishme se sa çfarëdo arsenali ushtarak. Prandaj sot ne e përkujtojmë këtë betejë si njërën nga momentet më krenare të historisë sonë të lavdishme”, tha Osmani.
Një nga udhëheqësit e Brigadës 138, Rrustem Berisha, kujtoi historikun e betejës së Koshares, ndërsa tha se të gjitha parashikimet që ishin bërë dolën të sakta.
Berisha tha se lufta e Koshares ishte e të gjithëve, ishte betejë e unitetit e sakrificës dhe fitores së madhe ushtarake, pulitke dhe diplomatike.
Ai rrëfeu edhe mëngjesin e 10 prillit në të cilën ishte vendosur flamuri shqiptar në kazermën e Koshares.
“23 vite me parë në orët e hershme të mëngjesit, njësitë e Grupit Operativ 3, filluan luftën frontale duke u nisur nga vija kufitare me qëllim heqjen e kufirit shqiptaro-shqiptar me forcën e armës. Beteja e Koshares ishte ideuar dhe planifikuar nga ushtarakët e kësaj beteje dhe dolën të sakta të gjitha parashikimet… kazerma e Koshares u fut në rrethim të plotë dhe të nesërmen me datën 10 prill në orët e pasdites, forcat tona morën kazermën e Koshares dhe të njëjtën ditë, u vendos flamuri shqiptar i cili valoi deri në përfundimin e luftës… lufta e Koshares ishte e të gjithëve, ishte betejë e unitetit e sakrificës dhe fitores së madhe ushtarake, pulitke dhe diplomatike”, tha ai.
Gjatë ditës së sotme homazhe bënë edhe krerët e partive politike, si dhe qindra qytetarë e familjarë të dëshmorëve.