Presidentja Vjosa Osmani në një diskutim në kuadër të Shkollës së Studimeve Ndërkombëtare John Hopkins ka thënë që iniciativa për Ballkanin e Hapur bie ndesh me parimin bazë rajonal, atë të përfshirjes.
“Mendoj që lidhja midis rajonit është jetik kur bëhet fjalë për prurje më e drejtpërdrejtë të investimeve nga jashtë, sepse ajo që e them shpesh është që kur një investitor e sheh Kosovën, ata nuk duhet ta shohin vetëm Kosovë e vogël por duhet ta shohin tërë rajonin si treg të mundshëm”, ka thënë Osmani.
“Konektiviteti dhe rajoni janë tejet të rëndësishme. Në parim Kosova nuk ka qenë kurrë kundër projekteve që synojnë t’i sjellin shtetet tona më afër njëra-tjetrës kur bëhet fjalë për distancën sepse ajo e rrit ekonominë”.
Sidoqoftë, Osmani i shpalosi shqetësimet e Kosovës në raport me iniciativën Ballkani i Hapur sa i përket politikës, ekonomisë dhe sigurisë.
“Pyetja më e madhe që e kemi pasur dhe shqetësimi kanë qenë në atë njëfaqësh e gjysmë që përfshinte një mori pikash, ishin dy apo praktikisht tri. Njëra ishte e ashtuquajtur iniciativa mini-schengen që tani është, nuk do të thosha ribrenduar apo riemëruar, mënyra se si është emëruar është ndryshe por është praktikisht ideja e njëjtë”.
“Pikë së pari ne nuk qemë përfshirë me ç’rast kjo iniciativë është kundër parimit të përfshirjes e që është parimi bazë i bashkëpunimit rajonal dhe së dyti kishim mjaft shqetësime kur bëhet fjalë për ekonominë dhe bashkëpunimit politik sepse Serbia do të vazhdojë ta mohojë ekzistencën e Kosovës edhe brenda asaj iniciative, kur bëhet fjalë për rrugëtimin tonë të integrimit evropian sepse iniciativa nuk ishte dizajnuar që ta përshpejtojë integrimin evropian të Kosovës apo të Ballkanit Perëndimor por që të shërbejë si Dhomë e Pritjes ku BE-a thotë: tani e keni mini-schengenin tuaj, andaj duhet të rrini aty për 20 vjetët e ardhshme dhe nuk do t’i bashkoheni Bashkimit Evropian. Jemi lodhur me zgjerimin andaj pse të mos merreni me njëri-tjetrin?
Osmani tha se Kosova nuk ka pranuar as edhe një dokument të vetëm ku shpaloset kjo iniciativë.
“Asnjëri prej iniciatorëve nuk i është afruar asnjëherë Kosovës as edhe me vetëm një faqe të vetme letre për të treguar se çka duan nga kjo iniciativë rajonale. Pra kanë folur për këtë por kurrë nuk e kanë marrë mundin që ta vënë madje as në njëfaqësh konciz që të tregojnë se pse kjo iniciativë është e rëndësishme. Ne tashmë i kemi pasur së paku 3 iniciativa rajonale, më i njohuri Procesi i Berlinit i cili është po ashtu më i rëndësishmi – është një proces me bazë Bashkimin Evropian dhe i cili synon që t’i sjellë shtetet tona sa më afër Bashkimit Evropian dhe i trajton të gjitha shtetet me parimin e barazisë, e kemi Marrëveshjen e CEFTA-s, dhe të gjitha këto kanë diçka të përbashkët – Serbia nuk e ka implementuar asnjërën të cilën e ka nënshkruar“
“Kush janë ata që e kanë krijuar iniciativën? Cilët janë ata që janë mekanizmat e implementimit? Për iniciativën e Ballkanit të Hapur ne nuk e dimë andaj nëse Vuçiqi nuk e implementon iniciativën e Procesit të Berlinit ku kancelari i Gjermanisë dhe presidenti i Francës po e mbikëqyrin procesin, si mund të besojmë që ai do ta implementojë një iniciativë ku ai është shefi? Natyrisht kushdo që e njeh Vuçiqin e di që nuk do ta bëjë“.