Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin për Punë të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit suedez ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta, në procesin e shtetformimit, shtetëndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Presidencës, bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike në vend e rajon, procesin e dialogut me Serbinë, si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Osmani ka theksuar se me liberalizimin e vizave për Kosovën, mori fund padrejtësia ndaj qytetarëve të Kosovës.
Presidentja kërkoi mbështetje nga Billstrom që Suedia si kryesuese e Këshillit të BE-së, ta mbështes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është orientim strategjik. Mbështetja e Suedisë në këtë drejtim, sipas Presidentes Osmani është thelbësore për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në BE, duke ia dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat.