Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ambasadorin hungarez, József Bencze, i cili e uroi për marrjen e detyrës dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Kosovës në rrugën euro-atlantike, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave, raporton Gazeta Sinjali.
Ndër të tjera, në këtë takim Zyra e Presidentes njofton se është diskutuar për situatën me pandeminë, me ç’rast Osmani citohet të ketë thënë se sigurimi i vaksinave është prioritet kryesor për të gjitha institucionet.
Osmani ka kërkuar nga ambasadori hungarez që shteti i tij të rritë numrin e bursave për studentët kosovarë që duan të studiojnë në Hungari.
“Zonja Osmani potencoi edhe bashkëpunimin në fushën e arsimit me shtetin hungarez, me fokus në rritjen e numrit të bursave për studentët tanë për t`i ndjekur studimet në Hungari”, thuhet në njoftim.
Në diskutimin për bashkëpunimin në të ardhmen, kjo zyrë njofton se Osmani ka premtuar se do të mbështesë qeverinë e vendit në të gjitha nismat dhe projektet e përbashkëta me Hungarinë, teksa bëhet e ditur se fusha të interesit të përbashkët mes dy shteteve janë: bashkëpunimi dhe shkëmbimi kulturor, shkëmbimet tregtare, bujqësia, siguria, si dhe në fusha e integrimit evropian./Gazeta Sinjali/