Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka detyruar Kuvendin që ta nxjerr ligjin kundër pandemisë.
Sipas Osmanit kjo nuk është çështje dëshire, por detyrim.
“Nuk është çështje dëshire. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë peshën e Kushtetutës. E kemi detyrim që ta nxjerrim këtë ligj. Nuk është që na u ka tek, është i domosdoshëm, nga aspekti kushtetues por edhe human. Obligimin tonë karshi kësaj na e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, prandaj duhet ta marrim me seriozitet”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se projektligjin e kanë hartuar ekspert më të mirë që ka vendi dhe se ideja e kësaj ka qenë që ta nxjerrim ligjin sa më shpejt sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme se shëndeti i qytetarëve.
“E kemi obligim që ta nxjerrim ligjin, është në procedura të Kuvendit sepse opinioni i Qeverisë nuk është obligues për ne. Ideja ka qenë që të mos presim edhe dy muaj por ta trajtojmë më shpejt sepse nuk ka asgjë më urgjente sesa krijimi i bazës ligjore për masa efektive që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve. Kjo iniciativë nuk u përkrah sepse iniciues ishte propozuesi. Sikur të veproja me logjikën e inateve nuk do ta votoja fare rishikimin e buxhetit, as marrëveshjet ndërkombëtare sepse do të më mjaftonte adresa e propozuesit”, tha Osmani. /Gazeta Sinjali/