Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka folur për menaxhimin e COVID-19, nga gratë lidere në botë. Gjithashtu ka theksuar edhe për rolin dhe kontributin e dhënë të grave në politikë.
“UNËomen” në këtë artikull ka përmendur shkëlqimin e grave lidere në botë në menaxhimin e krizës së shkaktuar nga COVID-19. Pos Gjermanisë, Zelandës së Re, Danimarkës e Islandës, kjo organizatë ka theksuar se Osmani është lavdëruar për profesionalizmin e saj në udhëheqjen e Kuvendit në kohë krize.
Në intervistë ajo ka thënë se vetëm me përfshirjen e grave mund të arrihen Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së për krijimin e një bote më të mirë për njerëzit.
“Gratë liderë nëpër botë kanë demonstruar menaxhim të suksesshëm të pandemisë. Ato kanë qenë në gjendje të unifikojnë publikun dhe të angazhojnë njerëzit në rëndësinë e ndryshimit të sjelljeve të tyre të përditshme për të ndihmuar në parandalim të shpërndarjes së koronavirusit dhe për të rrafshuar kurbën. Edhe pse pandemia ka goditur të gjithë, ka disa aspekte që kërkojnë më shumë qasje specifike me në qendër gjininë, të tilla sikur lindjet e sigurta dhe kontrolli i vdekshmërisë së nënave; ndikimi i mbylljes së shkollave për gratë si kujdestare primare; dhe lidhjet e tyre me aktivitetet e punës. Në kapacitetin tim si kryetare e Kuvendit po avokoj për një qasje më të ndjeshme gjinore ashtu që grave t’u jepet një trajtim më i qëndrueshëm dhe i barabartë në periudhë afatgjate”, ka thënë ajo kur është pyetur se si është të jesh lidere në kohën e pandemisë.
Tutje, Osmani ka thënë se gjatë pandemisë, gratë në Kosovë i janë ekspozuar rrezikut serioz shoqëror dhe niveleve më të larta të dhunës, të demonstruara nga rritja e dhunës në familje që kur janë prezantuar masat e izolimit. Kryeparlamentarja e Kosovës ka bërë thirrje që më shumë gra të përfshihen në proceset e vendimmarrjes.
“Është e domosdoshme të tejkalohet kultura e dominimit të burrave të cilën e kemi kultivuar në shtëpi që nga moshat e hershme. Po ashtu është përgjegjësi e jona që të rrisim fëmijët tanë pa stigmatizime e rolet tradicionale gjinore”, ka thënë tutje Osmani./ Gazeta Sinjali/