Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit me të, foli edhe për influencën ruse në Ballkanin Perëndimor.
Osmani këtë e influencë e sheh të ndarë në tri aspekte: Propaganda, armët si dhe mbështetja politike për shtetin serb.
“Influenca ruse shihet në tri aspekte kryesore. E para është propaganda e cila është intensifikuar në dy vitet e fundit edhe sa i përket Ballkanit Perëndimor. Pra, propagandë e cila e mbështet qëndrimin e Serbisë sa i përket destabilizimit të rajonit.
E dyta ka të bëjë me armët, që Rusia vazhdimisht ia shet Serbisë dhe të cilat më pas shfrytëzohen nga Serbia për ta sulmuar Kosovën apo shtetet e tjera.
E treta ka të bëjë me mbështetjen politike, të cilën Rusia vazhdimisht ia jep Serbisë në këto përpjekjet e destabilizimit. Kur bëhen këto të trija bashkë është e qartë se është interes i Rusisë që të hapet edhe një front kundër perëndimit dhe natyrisht që këtë front dëshiron ta hapë në pjesë të Evropës të cilat akoma nuk janë pjesë e NATO’s”, u shpreh Osmani.
Osmani gjithashtu shtoi se “është e domosdoshme që bashkëpunimi mes nesh dhe NATO-s të jetë gjithnjë në koordinim të plotë dhe në rritje”.