Kryetarët serbë të dorëhequr nuk e kanë njoftuar zyrtarisht presidenten Vjosa Osmani për largimin e tyre.
Këtë për Sinjalin e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.
Vijimi pas dorëheqjeve rregullohet me akte juridike, ku presidentes i takon të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, tha Kupina.
Autoritetet e Kosovës janë duke zbatuar një plan tre fazësh përmes së cilit inkurajohen qytetarët në katër komunat veriore të vendit, që të riregjistrojnë veturat e tyre.
Në kundërshtim të këtij plani të autoriteteve të Kosovës, më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.