image Osmani: E domosdoshme linja e veçantë buxhetore për strehimoret e viktimave të dhunës në familje

Kosovë

Takim/ Osmani: E domosdoshme linja e veçantë buxhetore për strehimoret e viktimave të dhunës në familje

news image

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), të drejtuar nga Igballe Rugova.

Gjatë këtij takimi u bisedua për aktivitetet dhe sfidat me të cilat kjo organizatë po përballet për ta realizuar misionin e saj.

Kryetarja Osmani theksoi se është e domosdoshme që institucionet të krijojnë mekanizma shtetërorë për mbrojtjen efikase të të drejtave dhe lirive të viktimave të dhunës në familje.

“Institucionet e reja të Kosovës do ta shtojnë kujdesin ndaj kategorive të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht ndaj viktimave të dhunës”, tha Osmani.

Ajo u zotua se do ta përkrahë Rrjetin e Grave në synimin për të përmirësuar dhe mbrojtur gratë.

Ndër të tjera ajo tha se është e domosdoshme që në buxhetin e vendit të sigurohet linjë e veçantë buxhetore për strehimoret për gratë e dhunuara, si dhe që të kthehet për diskutim Projektligji i Punës dhe Projektligji për Pushimin e Lehonisë dhe Pushimin Prindëror, si ligj me rëndësi për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në shoqëri.

Përfaqësueset e Rrejtit të Grave të Kosovës shprehën gatishmërinë e tyre që të punojnë ngushtë me institucionet e vendit për përmirësimin e mëtejmë të statusit të grave.

Ato u shprehën të bindura se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdes nga institucionet e reja dhe se, nëpërmjet përkrahjes që do t’ua japin atyre, Kosova do të dëshmojë shembull të kujdesit institucional ndaj viktimave të dhunës në familje./GazetaSinjali/