image Osmani do të jetë kandidatja e VV-së për presidente - Sinjali

Osmani do të jetë kandidatja e VV-së për presidente

news image

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar se marrëveshja e iniciativës së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje parasheh që pozita e kryeministrit t’i takojë Kurtit, kurse ajo e presidentes asaj, raporton Gazeta Sinjali.

“Edhe njëherë po ju sqaroj, Kurti do të kandidojë për kryeministër, unë për rilegjitimimin e pozitës së presidentit, presidentes në këtë rast”, tha Osmani para gazetarëve.

Sa u përket numrit të kandidatëve për deputetë nga iniciativa e saj, Osmani tha se do të ketë mjaftueshëm për të arritur fitore.

“Në këto zgjedhje përcaktohen jo vetëm katër vitet e ardhshme, po për dy dekadat e ardhshme. Më datën 16 njoftohen për detajet e marrëveshjes”, tha Osmani.

Ndërkaq, Kurti tha se këto zgjedhje do të jenë referendum, ashtu siç i cilësoi zgjedhjet në Podujevë.

“Ne do të garojmë bashkë që të fitojmë bashkë dhe jam i bindur që do të fitojmë bashkë në këto zgjedhje që janë më shumë se zgjedhje, sepse është referendum. Që nga fitorja në Podujevë, nuk ka më zgjedhje, ka referendume”, tha Kurti./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin