image Osmani: Diskutojmë në dialog për të pagjeturit, jo për kufij

Politikë

Osmani: Diskutojmë në dialog për të pagjeturit, jo për kufij

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me homologun slloven, Borut Pahor, tha se e ka njoftuar atë se Kosova do të ulet në tavolinën e dialogut me Serbinë, por nuk do të pranojë që çështja e kufijve të diskutohet, shkruan Gazeta Sinjali.

“E potencova gatishmërinë e Kosovës të jetë pjesë e dialogut duke e pasur parasysh që statusi jonë është përcaktuar më 17 shkurt e gjithashtu edhe kufijtë. Kosova do të ulet në tavolinë për të diskutuar për çështje të rëndësishme siç është çështja e personave të pagjetur”, tha Osmani.

Ajo gjithashtu ka potencuar se liberalizimi i vizave do të forconte kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Kosovë

“Diskutuam për përshpejtim të integrimit evropian të gjithë rajonit tonë. Kosova e ka prioritet integrimin evropian, prandaj reformat që duhet të merren për këtë proces ne nuk i shohim si imponim por reforma në të mirë të qytetarëve tanë. Natyrisht e potencuam që Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, dhe tani është në një pritje të gjatë dhe fatkeqësisht qytetarët tanë po presin. Liberalizimi i vizave do ta ngriste kredibilitetin e BE-së në Kosovë”, tha tutje Osmani.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor tha se në samitin e Brdo-Brijunit që do të mbahet të hënën do t’u kërkojë shteteve anëtare të BE-së që të vazhdojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të evitohet ideja për ndryshim kufijsh.

“Konstatoj se ndërmjet udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor deri te zvogëlimi i perspektivës evropiane kjo lidhet me ngadalësimin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Zgjerimi i BE-së është domosdoshmëri, dhe se BE-ja e sheh këtë hapësirë si tërësi. Kjo do ta përforconte besimin e njerëzve në perspektivën evropiane, do të nxiste vullnetin politik për reforma dhe do ta evitonte rrezikun për të menduar ndryshime të kufijve mes shteteve”, tha Pahor.

Ai tha se testi i parë për BE-në rreth integrimit evropian të Ballkanit do të jetë të hënën.

/Gazeta Sinjali/