image Osmani: Dialogu Kosovë – Serbi duhet të rezultojë me marrëveshje të detyrueshme

Politikë

Osmani: Dialogu Kosovë – Serbi duhet të rezultojë me marrëveshje të detyrueshme

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me nënsekretarin e Shtetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Ministrinë e Jashtme të Finlandës, Kai Sauer, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas një njoftimi për media Osmani e ka falenderuar Sauer për kujdesin e vazhdueshëm të tij, të qeverisë së tij dhe të popullit finlandez për afirmimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ajo e njohu diplomatin finlandez me rolin e institucioneve të reja të Kosovës në promovimin e mëtejmë të shtetësisë së Kosovës, si dhe me sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe i tërë rajoni, sidomos gjatë pandemisë COVID-19.

Sa i përket integrimit të vendit në BE, Presidentja Osmani e përsëriti edhe një herë qëndrimin e Kosovës se integrimet euroatlantike janë përcaktim yni strategjik dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës që të lëvizë sa më shpejt që të jetë e mundur drejt këtij synimi.

Bashkimi Europian është zgjedhja jonë, por edhe përkatësia jonë”, tha ajo.

“Kushtet e vëna për integrim në BE ne i trajtojmë para së gjithash si synime të cilat duam t’i përmbushim për mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha ajo.

Presidentja Osmani e njohu diplomatin finlandez edhe me përgatitjet dhe qasjen e institucioneve të vendit për dialog me Serbinë. Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që Serbia të tregojë gatishmëri për dialog dhe që t’i jepet prioritet çështjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje të detyrueshme, e cila e siguron njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe i hapë perspektivë rajonit për integrim në BE”, tha Osmani.

Nënsekretari i Shtetit, z. Kai Sauer, ndërkaq, e ka uruar Osmanin për zgjedhjen në postin e presidentes së vendit dhe e siguroi atë se shteti i Finlandës do ta vazhdojë, sikur edhe deri më tash, ta përkrahë shtetin e Kosovës në aspiratën e popullit të tij për integrim në BE. /Gazeta Sinjali/