image Osmani dekoron tetë gra me urdhrin "Shotë Galica"

Kosovë

Osmani dekoron tetë gra me urdhrin “Shotë Galica”

news image

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtarë të Gruas ka dekoruar me urdhrin “Shotë Galica” tetë gra, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të Presidencës, gratë janë dekoruartë cilat me aktivitetin e tyre kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.

“Sipas u.d. Presidentes Osmani, secila nga këto gra e organizata, shquhen për guximin në kërkim të të drejtës së tyre, mbrojtjes së integritetit dhe të të vërtetës. Ajo ka thënë se vetëm duke pasur gra të guximshme e barazi gjinore, shoqëritë si kjo e jona mund të avancohen. Ajo ka theksuar se këto gra dhe shoqata përbëjnë modelin e aktivisteve që fatin e tyre personal e kanë shndërruar në kauzë për të mirën e përgjithshme, duke u përpjekur për të ngadhënjyer e vërteta dhe duke u bërë prijetare në avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi  për barazinë gjinore.

Të dekoruarat janë: Vasfije Krasniqi, Shehrije Balaj, Marte Tunaj, Shoqata “Thirrjet e nënave”, Shpresa Loshaj , Arjeta Musliu, Fahrije Hoti.

Njoftimi i plotë:

U.d. Presidentja Osmani akordon urdhrin “Shotë Galica”, për 8 gra

U.d. Presidentja Vjosa Osmani, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka dekoruar me urdhrin “Shotë Galica”, tetë gra, të cilat me aktivitetin e tyre kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.

Sipas u.d. Presidentes Osmani, secila nga këto gra e organizata, shquhen për guximin në kërkim të të drejtës së tyre, mbrojtjes së integritetit dhe të të vërtetës. Ajo ka thënë se vetëm duke pasur gra të guximshme e barazi gjinore, shoqëritë si kjo e jona mund të avancohen. Ajo ka theksuar se këto gra dhe shoqata përbëjnë modelin e aktivisteve që fatin e tyre personal e kanë shndërruar në kauzë për të mirën e përgjithshme, duke u përpjekur për të ngadhënjyer e vërteta dhe duke u bërë prijetare në avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi  për barazinë gjinore.

Të dekoruarat janë

Vasfije Krasniqi – një heroinë e vërtetë e ditëve tona. Gruaja e cila dhimbjen e shndërroi në guxim dhe shembull se si mund dhe duhet të sfidohen stereotipet e paragjykimet shoqërore.  Gruaja e cila foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit dhe dhunimin seksual nga forcat serbe dhe meritorja për trasimin e rrugës për të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Për guximin e treguar në luftën e saj për drejtësi, znj. Vasfije Krasniqi dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.

Shyhrete Tahiri- Sylejmani – gruaja që ndoqi hap pas hapi rrugën deri në sjelljen e drejtësisë për padrejtësinë që i është bërë asaj dhe shumë grave e vajzave të Kosovës. E mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, Shyhrete Tahiri – Sylejmani dekorohet për guximin e saj që publikisht të kërkojë dënimin e përdhunuesve. Znj. Shyhrete Tahiri- Sylejmani  dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica” për ngritjen e zërit të saj që ndihmoi të fuqizohet zëri i shumë vajzave e grave të tjera anë e mbanë vendit tonë.

Shehrije Balaj – gruaja e parë që dëshmoi në Beograd kundër forcave serbe që e përdhunuan atë gjatë luftës në Kosovës. Ndonëse vdiq në vitin 2018, ajo mbetet heroinë e ditëve të sotme. Për guximin e saj, znj. Shehrije Bala dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.

Marte Tunaj – është ndër gratë e para në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës nga forcat serbe. Në momentet më të vështira të luftës së UÇK-së, ajo iu përgjigj organizmit të tij dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm. Ajo nuk jeton më, por vepra e saj është e pavdekshme. Për shembullin e dhënë dhe guximin, znj. Marte Tunaj dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.

Shoqata “Thirrjet e nënave” – Shoqate e cila për vite tashmë merret me procesin e zbardhjes se fatit te personave të pagjetur e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.  Thirrja e nënave mbetet thirrja më e kumbueshme në vendin tonë për drejtësi. E nënat e Gjakovës nuk u dorëzuan kurrë dhe nuk do të dorëzohen derisa drejtësia të vje në vend. Për qëndresën, vendosmërinë e punën e palodhshme ndër vite, shoqata “Thirrjet e Nënave”, dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”.

Shpresa Loshaj – një pishtare e vërtetë, një guximtare e pashoq, një luftëtare për gjithpërfshirje e aktivizëm në përpjekjet për mbrojtjen e lumenjve të Kosovës.  Për punën e saj të palodhshme, për mosluhatjen në qëndrimet e saja, si dhe për guximin për të sfiduar padrejtësitë, si dhe për guximin e treguar në mbrojtjen e pasurive natyrore të Kosovës, znj. Shpresa Loshaj dekorohet sot me urdhrin “Shotë Galica”.

Arjeta Musliu – gruaja që vendosi që dhembjen e saj ta kthejë në forcë, duke hapur kështu qendrën këshilluese ‘Ri-Jeta’, që tu dal në ndihmë të gjithë të rinjve që përballen me përdorimin e substancave narkotike. Arjeta është shembull se si sfidat e jetës shndërrohen në motiv për të ndihmuar të tjerët në nevojë, dhe si dhimbja vet mund të na ndihmojë të lehtësojmë dhimbjen e të tjerëve. Për përkrahjen e qindra familjeve, prindërve e në veçanti nënave, znj. Arjeta Musliu dekorohet sot me urdhrin “Shotë Galica”.

Fahrije Hoti – Ajo është themeluesja e ndërmarrjes “Krusha”, në të cilën janë të punësuara pesëdhjetë gra, shumica e të cilave kanë mbetur të veja nga lufta e fundit në Kosovë. Themelimi i shoqatës “Gratë e veja” në vitin 2003 për përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ishte hapi i parë. Dy vite më vonë, Fahrija filloi një iniciativë vetjake për konservimin e ushqimeve dimërore. Kjo iniciativë në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen e njohur “Krusha”. Znj. Fahrije Hoti dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica” si gruaja që nuk u ndal kurrë së besuari dhe së guxuari përkundër të gjitha paragjykimeve./Gazeta Sinjali/