image Osmani dekoron kryeministrin kroat dhe spitalin e Sllavonski Brod

Politikë

Osmani dekoron kryeministrin kroat dhe spitalin e Sllavonski Brod

news image

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe Spitalin “Dr.Josip Bençeviq”, të Sllavonski Brod, shkruan Gazeta Sinjali.

Motivi i këtij dekorimi ishte kujdesi dhe shpejtësia e reagimit, solidaritetit dhe humanizmit të shtetit kroat në rastin e aksidentit tragjik të 25 korrikut të këtij viti në afërsi të Sllavonski Brod, si pasojë e të cilit humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës dhe u lënduan 26 të tjerë.

“Me të njëjtën medalje, Presidentja Osmani ka dekoruar edhe Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit për humanizmin, përkushtimin dhe profesionalizimin e dëshmuar në trajtimin e të aksidentuarve“, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Presidenca.

Gjatë takimit me Plenkoviqin, Osmani citohet të ketë vlerësuar si të shkëlqyeshme marrëdhëniet me shtetin kroat dhe se është e angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre.

Presidentja ka falënderuar kryeministrin kroat edhe për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës me një sasi vaksinash antiCOVID.

Më tej, presidentja Osmani ka theksuar se roli i Kroacisë për Kosovën është si partner strategjik rajonal dhe njëherësh edhe si mbështetëse e rrugës evropiane të vendit tonë. Ajo ka përmendur se të dy shtetet kanë intensifikuar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian.

Ndërkaq duke folur për situatën aktuale politikë në Kosovë e më gjerë, e para e vendit citohet të ketë përmendur rrezikun e destabilizimit të rajonit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentë të tyre në Serbi.

Sipas Presidentes Osmani, dialogu më Serbinë duhet të marrë fund me njohjen e ndërsjellë, teksa ka hedhur poshtë çfarëdo ideje, e cila synon trajtim jo të barabartë të Kosovës në kontekstin rajonal. Ajo ka theksuar se Kroacia është vend mik, nga i cili Kosova pret mbështetje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Aktualisht Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar rreth 30 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë e bashkëpunimit më fushën e mbrojtjes, politikës së jashtme, ekonomisë, si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm./GazetaSinjali/