Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar disa fotografi nga seanca e votimit të saj për këtë pozitë dhe ka përmendur përgjegjësitë që ka për të kjo detyrë, të cilën thotë se e konsideron mision fisnik, shkruan Gazeta Sinjali.
E para e vendit ka thënë se mbrëmë është mbyllur dinjitetshëm kaptina e zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke u respektuar vullneti i qytetarëve, që e nxori atë si politikanen më të votuar në vend.
“Jam plotësisht e vetëdijshme për pritshmëritë që ju i keni. Por, po ashtu jam e vetëdijshme që misioni ynë është shumë më shumë se sa angazhim politik, ngaqë se çdo mision i nisur me bekimin e qytetarëve e që derivon nga vullneti i tyre, është mbi të gjitha, mision fisnik.”
“Andaj nga ne pritet të dijmë të dallojmë se si të ndajmë të mirën nga e keqja, të bëjmë diferencën në mes të së tashmes dhe të kaluarës, të dijmë se kur është koha e duhur të ndërmarrim veprime madhore, duke u siguruar që çdo veprim i yni na sjell një hap më afër Kosovës për të cilën flasim kaq shumë; një hap më afër Kosovës ashtu siç e duam dhe e ëndërrojmë”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.
“Të luftosh padrejtësitë e të sfidosh veprimet e gabuara, të shtysh përpara kauza që e përmirësojnë jetën e njerëzve që na rrethojnë, të qëndrosh fort prapa bindjeve tuaja kur e di që diçka është e drejtë dhe duhet bërë, nuk është thjesht çështje e një vote apo deklarimi publik, është përmbushja më e madhe dhe arritja më kulminante në realizimin me sukses të misionit tonë në këtë rrugëtim politik”.
Veprime të tilla, veprime guximtare, veprime që i japin kah shpresëngjallës historisë, ajo thotë se janë dëshmia më e pastër e madhështisë së secilit e secilës nga ne.
Sipas saj, kur zgjedhet rruga e drejtë, asnjëherë nuk është e lehtë e pengesat janë të mëdha. Por kur përballeni me to, thotë ajo, kujtojeni gjithnjë atë që heroi ynë kombëtar Jusuf Gërvalla e shkroi si mësim që kishte marrë nga nëna e tij, Nëna Ajshe:“Rruga e nderit është më e zorshmja, por është e vëtmja rrugë e drejtë për njeriun. E kush është munduar për nder, nder ka gjetë”!
“Në këtë rrugëtim, shpresoj t’u kem të gjithëve bashkudhëtarë. Na priftë e mbara”, ka përfunduar ajo./Gazeta Sinjali/
Mbrëmë e përmbyllëm dinjitetshëm një kaptinë të zgjedhjeve demokratike, si dhe e vulosëm edhe njërin ndër shembujt më të…
Posted by Vjosa R. Osmani on Monday, April 5, 2021