image Osmani bisedon me Walker pas raportimeve për shkëputjen e kontratës

Kosovë

Osmani bisedon me Walker pas raportimeve për shkëputjen e kontratës

news image

Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se presidentja, Vjosa Osmani ka vazhduar bashkëpunimin me William Walker, shkruan Gazeta Sinjali.

Në njoftim thuhet se presidentja Osmani dhe William Walker, kanë biseduar personalisht për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin mes tyre.

Sipas njoftimit, të dy kanë rënë dakord që të punojnë së bashku për të siguruar njohje të reja për Kosovën dhe për të avancuar sundimin e ligjit në vend.

Ndryshe, Gazeta Sinjali, me 8 dhjetor raportoi se U.D. e Presidentit, Vjosa Osmani e ka shkëputur kontratën e lidhur në muajin gusht të këtij viti nga ish-presidenti, Hashim Thaçi me Fondacionin e ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, për këshilla profesionale, për të cilat paguhej 7 mijë euro.

Këtë artikull Sinjali e publikoi duke u bazuar në përgjigjen e këshilltarit për media të Osmanit, Bekim Kupina, për Gazetën Sinjali.

Në përgjigjen e tij thuhet: Kontrata është shkëputur. Po ashtu kemi kërkuar qasje në të gjitha raportet, por deri tani ato nuk ndodhen në Presidencë.

Këto raportime Osmani i quajti dezinformata, pasi që shkroi në Facebook, një deklaratë kundërthënëse me atë të këshilltarit të saj, Bekim Kupinës.

 “E pabesueshme se deri në çfarë niveli të ulët shkojnë dezinformatat lidhur me ngjarje publike në vendin tonë. Për shembull, sot thuhet se unë kam “shkëputur kontratën me z. William Walker”. E vërteta është se kontrata nuk është shkëputur por skadon këtë muaj, sipas afateve të parapara në vetë këtë kontratë. Poashtu nuk ka pasur asnjëherë kontratë me personalisht z. William Walker. Ka pasur një kontratë me fondacionin e udhëhequr nga drejtori ekzekutiv z. Hasan Salihu,  i cili mbanë emrin Fondacioni Walker. Presidenca është njoftuar nga Fondacioni, në një takim zyrtar në presidencë më 17.11.2020, që asnjë cent nga kjo pagesë nuk i dërgohet personalisht z. William Walker”, thuhet në statusin e saj në Facebook./Gazeta Sinjali/