Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin biseduan lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit.
Osmani citohet t’i ketë thënë ambasadorit gjerman se “Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim”.
Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se sipas presidentes, Serbia nëpërmjet diskursit dhe veprimeve nxitëse, është duke tentuar ta destabilizojë veriun e vendit.
“Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim të mëtutjeshëm në procesin e integrimeve euro-atliantike”, thuhet në komunikatë.
Presidentja Osmani po ashtu ka uruar ambasadorin Rohde për procesin zgjedhor në Gjermani, duke theksuar se Republika e Kosovës është çdoherë e gatshme për thellim të bashkëpunimit me institucionet gjermane./GazetaSinjali/