image Opozita reagon ndaj nisjes së hetimeve për “zbulim të fshehtësisë” në sigurimin e vaksinave

Politikë

Opozita reagon ndaj nisjes së hetimeve për “zbulim të fshehtësisë” në sigurimin e vaksinave

news image

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar ndaj njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për nisjen e hetimeve për veprën penale të “zbulimit të fshehtësisë zyrtare” për rrjedhjen e dokumenteve të negocimit të kontratës mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë për prodhim vaksinash kundër COVID-19.

Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar sulm direkt ndaj demokracisë nisjen e hetimeve “me urdhrin politik të Arben Vitisë dhe Albin Kurtit”, ndërsa LDK-ja ka thënë se hetimi duhet të bëhet ndaj ministrit Vitia “për mosfurnizim të qëllimshëm me vaksina”.

Të shtunën, Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi se ka nisur hetimet për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas thirrjes që i bëri ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas rrjedhjes së dokumenteve negociuese me “Pfizerin”. Ai kishte thënë se puna e komisionit për procesin e sigurimit të vaksinave është nën betim dhe nuk mund të jepet asnjë detaj për të.

“Ligji për kategorizimin e një dokumenti sekret është rregulluar shumë qartë, blerja e vaksinave asnjëherë e sidomos në rrethana të pandemisë, nuk është dhe nuk mund të jetë sekret. Përkundrazi, për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalon Kosova, blerja e vaksinave është prioritet mbi çdo prioritet tjetër dhe transparenca me sigurimin dhe administrimin e tyre është gjëja më bazike që do të duhet të bëj qeveria e Albin Kurtit. Qytetarët e Kosovës, mediat, organizatat e shoqërisë civile e sidomos nëpunësit e sektorit publik, nuk duhet të kenë frikë që t’i zbulojnë veprimet e dëmshme të një pushteti në çfarëdo rrethanash. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka miratuar ligjin e veçantë për këtë kategori, ata janë të mbrojtur nga demokracia, kushtetuta dhe ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, Nr.6/L – 085”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

Bytyçi e ka konsideruar shqetësues “skandalin me vaksinat”. Ai ka thënë se ministri Vitia ka kërcënuar haptas “nëpunësit civilë dhe gazetarët që kanë publikuar dokumente kredibile”

“Prokuroria e Shtetit në vend se të hapë hetimet ndaj Arben Vitisë për rrezikimin e jetërave të qytetarëve për shkak të vonesave të qëllimshme për të siguruar vaksinat, ajo e bëri krejt të kundërtën”, ka thënë më tej ai duke ftuar Prokurorinë që mos të bëhet “instrument i dhunës dhe frikësimit me urdhrat politik të Albin Kurtit”.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Prokuroria duhet të sqarojë nëse Vitia ka gënjyer kur ka demantuar lajmin për sigurim të vaksinave apo nëse lajmi ka qenë i vërtetë.

Janë dy çështje që Prokuroria duhet të sqaroj për organet e drejtësisë dhe qytetarët: – A ka gënjyer Ministri i Shëndetësisë mbrëmë kur demantoi lajmin për sigurim të vaksinave – gjë që është dashtë të shoqërohet me padi për shpifje ndaj gazetës në fjalë?; – Apo lajmi i gazetës online Insajderi.org paska qenë në fakt i vërtetë dhe është cilësuar tashmë si zbulim i fshehtësisë zyrtare?”, ka thënë në fund ai.

/Gazeta Sinjali/