Në seancën e sotme plenare, dy deputetët opozitarë, Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë kërkuar Qeverisë angazhim më të madh në shuarjen e zjarreve, që u ndezën së fundmi në rajonin e Dukagjinit, njofton Gazeta Sinjali.
Gjatë seancës plenare, në deklarimet jashtë rendit të ditës, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti apelon tek qytetarët dhe qeveria për tu marrë më shumë me çështjen e zjarreve.
“Dua të apeloj të qytetarët dhe qeveria, veçanërisht të merren me këtë çështje. Zjarret kanë filluar dhe moti është i nxehtë shumë, prandaj institucionet përgjegjëse, veçanërisht FSK, Policia, rojet e pyjeve duhet të jenë të përqendruara dhe të kontrollojnë fushat e rrezikuara nga zjarri”, tha ai.
Gjithashtu ai shtoi se: “Kur po them të rrezikuara, kam parasysh se rrezikun më të madh po e shkaktojnë qytetarët vet, duke lënë mbeturinat dhe shishet e qelqit të cilat janë ndër shkaktarët kryesore të zjarreve”.
Nga ana tjetër, Bekë Berisha, tha se kish me qenë mirë që Qeveria me pas angazhim edhe në këtë temë.
“Shqetësim janë zjarret në male që qeveria ish dashur të reagoj për t’i ndalë. Temperaturat e larta kanë me qenë prezentë edhe për një kohë. Zjarret janë lajmëruar në Rugovë, Suharekë së fundmi, por mundet edhe dika tjetër. Ish kanë mirë që Qeveria me pas angazhim edhe në këtë temë”, u shpreh ai.