image Operacioni “Ryshfeti” vë në pranga dy zyrtarë policorë dhe një qytetar

Siguri

Detaje/ Operacioni “Ryshfeti” vë në pranga dy zyrtarë policorë dhe një qytetar

news image

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe një qytetar janë prangosur mbrëmë gjatë operacionit të hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se dy të dyshuar (zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) mund të jenë të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit ndaj dy zyrtarëve policorë dhe një qytetari.

Operacioni i koduar me emrin “Ryshfeti” rezultoi me arrestimin në flagrancë të një zyrtari policor dhe një qytetari. Më vonë edhe të një zyrtari tjetër policor, raporton Gazeta Sinjali.

“Zyrtari policor me inicialet L.O (zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) është arrestuar nga hetuesit e IPK-së me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni “Ryshfeti” ka vazhduar me bastisje në dy lokacione të ndryshme (një në Prishtinë dhe tjetri në Vushtrri) ku janë gjetur prova të konsiderueshme dhe është arrestuar edhe i dyshuari tjetër  – zyrtari policor me inicialet L.M (rreshter policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit).

Rreshteri policor është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve””, thuhet në njoftimin e IPK-së, transmeton Gazeta Sinjali.

Të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, përfundon njoftimi i tyre. /Gazeta Sinjali/