image Operacioni 'Goditja': Zbulohet kush është i dyshuari që u kap me drogë në Ferizaj, dërgohet në mbajtje

Siguri

Operacioni ‘Goditja’: Zbulohet kush është i dyshuari që u kap me drogë në Ferizaj, dërgohet në mbajtje

news image

Foto ilustruese


Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar edhe të hënën, në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj, teksa Policia po zbatonte planin operativ ‘Goditja’, ku ndaloi një person, i cili është kapur në flagrancë me lëndë narkotike.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Endrit Nezirin, 23-vjeçar, i cili fillimisht tentoi të ikë, por nuk ia arriti, pasi Policia e ndaloi dhe ia gjeti qeset me drogë.

Sipas informacioneve të para, gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë kanë gjetur te i dyshuari një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit marihuanë, që është sekuestruar bashkë me një shumë të parave, mbi 100 euro.

Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Ferizajt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që te i njëjti gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar sasi e dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Në cilësi të provave materiale nga i njëjti janë sekuestruar një shumë parashë, dy qese najloni me substancë të dyshuar narkotike me sasi rreth 2.47 gram si dhe një telefon. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

(Fotografia është marrë nga faqja në Facebook e Policisë së Kosovës)

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/