Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), do të bëjë kërkesë që me 10 qershor të hapen sallat e dasmave në Kosovë, si ato me ambient të hapur, por edhe ato me ambient të mbyllur.
Madje, sipas kësaj ode, do të kërkohet që në salla të lejohen edhe rreth 200 deri 250 persona brenda.
OHT sot ka njoftuar se nesër në ora 14:00 do të takohen me të gjithë pronarët e sallave të dasmave në vend.
Ky takim sipas njoftimit të odës, do të mbahet lidhur me masat e COVID-19.
Mirëpo, nga ky takim OHT pritet të dalë me kërkesa të qarta për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë Kurti.
Visar Demolli nga OHT, ka bërë të ditur se nesër do të mbledhin nënshkrimet e pronarëve të sallave të dasmave dhe do të kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria, që ato të hapen para sezonit të dasmave.
“Do të bëjmë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, që me 10 qershor të hapen sallat e dasmave, si ato që kanë ambientin e hapur, por edhe të mbyllur. Hapja e tyre do të bëhet me manual nga ministria, në mënyrë që personat që janë pjesëmarrës nëpër ahengje e evenimente tjera në këto salla, të mbrohen nga COVID-19”, ka thënë Demolli për Metron.
Tutje ai ka treguar edhe numrin e pjesëmarrësve që pritet të lejohen brenda një salle të dasmave.
“Për këtë vit nuk ka dasma me numër 400 të pjesëmarrësve, por do të ketë maksimalisht 200 deri 250 persona prezent në një dasmë”, tha ai.
Kujtojmë që organizimi i dasmave në Kosovë është ndaluar që nga viti i kaluar, me qëllim të parandalimit dhe kontrollit të përhapjes së infeksionit./Gazeta Sinjali/