image Oda e Hotelerisë dorëzon sot kërkesën që dasmat me 250 mysafirë të lejohen nga 10 qershori

Biznes

Oda e Hotelerisë dorëzon sot kërkesën që dasmat me 250 mysafirë të lejohen nga 10 qershori

news image

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), do të bëjë sot kërkesë që me 10 qershor të hapen sallat e dasmave në Kosovë, si ato me ambient të hapur, por edhe ato me ambient të mbyllur.

Kjo odë do të kërkojë që në salla të lejohen edhe rreth 200 deri 250 persona.

OHT ka njoftuar se sot në orën 14:00 do të takohen me të gjithë pronarët e sallave të dasmave në vend, me të cilët do të diskutohen masat antiCOVID të vendosura nga qeveria.

Nga ky takim, kjo odë pritet të dalë me kërkesa të qarta për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë Kurti.

Visar Demolli nga OHT, ka bërë të ditur se sot do të mbledhin nënshkrimet e pronarëve të sallave të dasmave dhe do të kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria, që ato të hapen para sezonit të dasmave.

“Do të bëjmë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, që me 10 qershor të hapen sallat e dasmave, si ato që kanë ambientin e hapur, por edhe të mbyllur. Hapja e tyre do të bëhet me manual nga ministria, në mënyrë që personat që janë pjesëmarrës nëpër ahengje e evenimente tjera në këto salla, të mbrohen nga COVID-19”, ka thënë Demolli për Metron.

Tutje, ai ka treguar edhe numrin e pjesëmarrësve që pritet të lejohen brenda një salle të dasmave.

“Për këtë vit nuk ka dasma me numër 400 të pjesëmarrësve, por do të ketë maksimalisht 200 deri 250 persona prezent në një dasmë”, tha ai.

Kujtojmë që organizimi i dasmave në Kosovë është ndaluar që nga viti i kaluar, me qëllim të parandalimit dhe kontrollit të përhapjes së infeksionit./Gazeta Sinjali/