image Masat e reja kundër COVID-19 të propozuara nga ministri Vitia

Shëndetësi

Masat e reja kundër COVID-19 të propozuara nga ministri Vitia

news image

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka thënë se më 18 gusht do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës masa të reja për luftim të pandemisë, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.

Më 17 gusht janë regjistruar pesë viktima dhe 1,765 raste me këtë virus.

Ministri Vitia ka thënë të martën se pas dërgimit të 173 mostrave pozitive jashtë Kosovës, 171 kanë dalë me variantin Delta.

“Situata epidemiologjike është shumë serioze, përhapja e variantit Delta është shumë e lartë, dominuese”, ka thënë Vitia.

Ai ka thënë se kufizimet e reja do të përfshijnë orar të kufizuar të bizneseve të gastronomisë, meqë shpërndarja më e madhe e virusit ka thënë të jetë pasojë e organizimeve në ambiente të mbyllura.

Vitia ka thënë se vaksinimi është zgjidhja më e sigurt për luftim të pandemisë dhe se ditët e fundit është rritur interesimi për imunizim.

“Ditën e djeshme janë administruar diku rreth 22 mijë doza të vaksinës dhe për kokë banori Kosova së fundmi po administron numrin më të madh të vaksinave në rajon”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se është marrë vendim që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe ditën e shtunë.

Kufizimet e reja

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës njoftoi se pas takimit me ministrin Vitia është kuptuar se Qeverisë do t’i propozohet se nga 20 gushti, sallat për organizim të ahengjeve dhe dasmave do të mund të punojnë deri në orën 22:30 dhe me kapacitet deri në 150 persona.

Edhe kafeteritë do të mund të punojnë me të njëjtën orar, derisa klubet e natës do të mbyllen deri më 1 shtator të këtij viti.

Më 12 gusht, Qeveria ka miratuar disa masa tjera me qëllim të luftimit të pandemisë.

Sipas vendimit të asaj date, nga data 20 gusht, dëshmia për vaksinim do të jetë e domosdoshme për të fituar qasje në një mori ambientesh të brendshme.

Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve.

Dëshminë për vaksinim duhet ta kenë edhe personat që punojnë në këto biznese dhe kanë kontakt me njerëz.

Bizneset do të detyrohen që të angazhojnë dikë që të kontrollojë dokumentet e kërkuara për të fituar qasje nëpër organizime.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë se pas analizave që janë bërë nga shpërthimi i pandemisë, është vërtetuar se në Kosovë ende nuk është arritur imuniteti kolektiv kundër koronavirusit.

“Rezultatet tregojnë se vetëm 38.8 përqind e popullatës e ka kaluar koronavirusin, që do të thotë se rezultatet tregojnë qartë se akoma s’është arritur imuniteti kolektiv i kënaqshëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale nga COVID-19”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, pjesa më e madhe të infektuarve aktualisht në Kosovë është nën moshën 50-vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të martën (17 gusht) janë regjistruar edhe pesë viktima nga koronavirusi.

Sipas njoftimit, viktimat ishin nga Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit dhe Vitisë.

Nga grupmosha 20-29 vjeç të infektuar janë 434 persona, ndërkaq nga 30-39 vjeç janë infektuar 285 vetë.

Aktualisht raste aktive në Kosovë janë 10.183. Sipas njoftimi, në 24 orëshin paraprak janë shëruar edhe 121 pacientë.

Që prej 13 marsit të vitit 2020 deri më 17 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 118.752 raste me COVID-19, ku 2.286 kanë përfunduar me fatalitet.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 21.903 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Më 17 gusht, Kosova ka ndryshuar Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 duke lejuar edhe personat nën 18 vjeç të imunizohen kundër koronavirusit.

Sipas vendimit të ri do të lejohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer ndërsa për grupmoshën 12-15 vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.

/GazetaSinjali/