Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për përdorimin e zëvendësuesve artificialë të sheqerit duke thënë se përdorimi afatgjatë i tyre nuk është i dobishëm dhe është kërcënim për shëndetin.
Zëvendësuesit artificialë janë aditivë që ofrojnë ëmbëlsinë sikur të sheqerit, ndërsa përmbajnë më pak energji ushqimore sesa ëmbëltuesit me bazë sheqeri. Në botë vazhdimisht janë konsideruar si “sheqerna të shëndetshëm”, por sipas OBSH-së, përdorimi i tyre për të kontrolluar peshën trupore ose për ta zvogëluar rrezikun nga sëmundjet, në terma afatgjate nuk i shërben organizmit.
Pra konsumatorët që preferojnë produkte “dietale” – si pijet e gazuara pa sheqer – nuk po i bëjnë vetes asnjë favor, sipas udhëzimit të OBSH-së të publikuar të hënën.
Sipas rekomandimit të OBSH-së, përdorimi i vazhdueshëm i këtyre zëvendësuesve mund të rrisë rrezikun për diabet të tipit 2, sëmundje kardiovaskulare dhe për vdekje.
OBSH-ja ka rekomanduar njerëzit që të shmangin përdorimin e këtyre produkteve si përpjekje për të humbur peshën. Në vend të kësaj, është rekomanduar konsumimi i frutave si dhe pijeve natyrale.
Organizata më e madhe e shëndetësisë ka thënë se rekomandimi është i bazuar në mbikëqyrjen afatgjate të studimeve që kanë gjetur se njerëzit që konsumojnë alternativa të sheqerit janë në rrezik më të madh për mbipeshë, sëmundje kardiovaskulare e diabete.