image OBSh paralajmëron: Mos i hiqni masat, ka rrezik për valë të re të COVID-19

Evropë

OBSh paralajmëron: Mos i hiqni masat, ka rrezik për valë të re të COVID-19

news image

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve të mos heqin dorë nga masat mbrojtëse dhe të mos përsërisin gabimin e verës së kaluar, kur kufizimet u zbutën shumë shpejt.

OBSh alarmon se ritmi i vaksinimit në Evropë nuk është ai që nevojitet për të frenuar rikthimin e infektimeve masive nga COVID-19.

“Imunizimi i 80% të të rriturve është ende larg”, tha kreu i kësaj organizate për Evropën, Hans Kluge.

“Me shtimin e grumbullimeve sociale, lëvizjet më të mëdha të popullatës, festivalet dhe turnetë sportive gjatë ditëve dhe javëve në vijim, ne i bëjmë Evropës thirrje që të tregohet e kujdesshme”, shtoi ai.

Gjatë dy muajve të fundit, rastet e reja të koronavirusit, vdekjet dhe shtrimet në spital kanë rënë ndjeshëm e, kjo ka shtyrë 36 nga 53 vendet e rajonit të fillojnë lehtësimin e masave.

“Ne të gjithë duhet të njohim progresin e bërë, por duhet ta theksojmë nga ana tjetër se nuk jemi aspak jashtë rrezikut”, theksoi eksperti.

Në mënyrë të veçantë, Kluge u përqendrua te varianti Delta i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Indi, të cilin e përshkroi si “mjaft shqetësues”.

Sipas tij, ky variant, “tregon rritje të ndjeshme të transmetueshmërisë” dhe sidomos personat e moshës mbi 60 vjeç, sipas ekspertit, mbeten veçanërisht të rrezikuar./Gazeta Sinjali/