Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Gebrejesus, tha se pandemia e koronavirusit ka nxjerr në pah pabarazitë skandaloze.
Gebrejesus nxiti kompanitë prodhuese që të japin më shumë vaksina për vendet e varfra.
Sipas tij, ky grup prej 10 vendesh që po prodhon dhe po blen pjesën më të madhe të vaksinave po kontrollon fatin e botës.
“Kriza e vazhdueshme e vaksinave është një pabarazi skandaloze që është nxjerrë në pah nga pandemia. Mbi 75% e të gjitha vaksinave kanë shkuar vetëm në 10 vende. Nuk ka një mënyrë diplomatike për ta thënë: një grup i vogël vendesh që prodhojnë dhe blejnë pjesën më të madhe të vaksinave kontrollojnë fatin e pjesës së mbetur të botës”, deklaroi kreu i OBSH-së.
“Kështu që, u bëj thirrje të gjitha vendeve anëtare që të mbështesin iniciativën për të vaksinuar të paktën 10% të popullatës së çdo shteti deri në shtator dhe që në dhjetor të përmbushim synimin e imunizimit të 30% të popullatës. Kjo është thelbësore për të ndaluar sëmundjet e rënda dhe vdekjet”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/