Suedia është bërë model në botë për qasjen që ka marrë ndaj luftës me koronavirusin, por OBSH-ja paralajmëron se strategjia e shmangies së masave kufizuese për popullatën do të ishte fatale për shtresat e rrezikuara nëse do aplikohej në rang global.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon ta konsiderojë të rrezikshme strategjinë e imunitetit të turmës që vende si Suedia po zbatojnë për t’u përballur me COVID-19.
Sipas epidemiologëve, duke vaksinuar ose duke e ekspozuar shumicën e një popullate ndaj sëmundjes infektive, e bën atë rezistente ndaj një vale të dytë të infeksionit.
Në Europë, kjo politikë po zbatohet prej Suedisë, duke i lënë hapur bar-restorantet, shkollat e palestrat, e duke ia lënë ndërgjegjes së gjithsecilit respektimin e apelit për qëndrimin në shtëpi, për distancim social dhe për ruajtjen e higjienës.
Vendi ka konfirmuar 26 mijë raste dhe mbi 3 mijë viktima nga koronavirusi, kryesisht të moshës mbi 70 vjeç, për të cilët autoritetet kanë pranuar se nuk u tregua kujdesi i duhur në fillimin e pandemisë.
Për OBSH-në, infektimi qëllimisht i njerëzve nuk është model që duhet ndjekur.
“Njerëzit nuk janë turma dhe mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm me idenë e infektimit natyral. Ai përdoret për vaksinat, jo për sëmundjet. Një vend nuk mund ta arrijë me magji imunitetin e turmës. Besoj se shtetet duhet ta vlerësojnë çdo pjesëtar të shoqërisë së vet, ta mbrojtur atë, ekonominë dhe çdo gjë tjetër,” deklaroi zyrtari i OBSH-së për emergjencat shëndetësore, Majkëll Rajan.
Anembane globit rastet me COVID-19 kanë kaluar shifrën 4 milionë ndërsa po shkon në 300 mijë numri i personave që kanë humbur jetën nga virusi.
OBSH-ja informon se është përshpejtuar puna për gjetjen e një vaksine, dhe fokusi ështe te të paktën 8 produkte eksperimentale që rezultojnë më efektivet në provat laboratorike. /Gazeta Sinjali/