Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se në vendet e varfra ka mungesë të madhe të vaksinave kundër koronavirusit.
Duke e cilësuar një dështim global, zyrtarët e OBSH-së thonë se situata në Afrikë është po aq e rrezikshme sa përhapja në gjithë globin e variantit më ngjitës, Delta.
“Bota jonë po dështon. Problem është furnizimi, thjesht na jepni vaksinat”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për media.
Më herët OBSH ngriti alarmin se shumë nga vendet më të varfra që morën vaksinat Covid-19 përmes iniciativës Covax nuk kanë më doza për të çuar përpara fushatën e imunizimit
Programi Covax ka shpërndarë 90 milionë doza në 131 vende, por këto nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur popullatat, veçanërisht në një kohë kur Afrika po përgatitet për një valë të tretë./Gazeta Sinjali/