image OAK i bën thirrje Kurtit që të trajtojë me urgjencë problemin e transportuesve

Kosovë

Letër/ OAK i bën thirrje Kurtit që të trajtojë me urgjencë problemin e transportuesve

news image

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i ka bërë kërkesë kryeministrit të vendit,Albin Kurti, zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrave përkatës për të marrë masa urgjente dhe të trajtohet problemi i sektorit të transportit.

“Pengesat që janë duke iu shkaktuar këtij sektori në pikat kufitare, mund të paraqesin rrezik për furnizime adekuate, e sidomos për furnizimin me medikamente dhe ushqime. Shoferëve të kompanive transportuese në pikën kufitare u janë dhënë dokumentet që kanë të drejtë të bëjnë vetëm një rrugë/hyrje dhe pastaj duhet që të vetkarantinohen. Duke pasur parasysh faktin që për këtë sektor, shoferët janë në mungesë, arsye e cila qëndron tek pajisja me viza, si dhe faktin që kompanitë kanë kontrata të cilave duhet të iu përmbahen, një gjë e tillë është e pamundur”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, OAK thotë se edhe në takimin që ka pasur me Ministren Hajdari dhe Ministrin Bislimi, ka kërkuar që sektorë të veçantë të pajisen me leje të veçanta për qarkullim, pasi që një gjë e tillë mund të bllokojë pastaj zinxhirin e furnizimit.

“Pronarët e bizneseve të këtij sektori deklarojnë se shoferët janë të pajisur me mjetet mbrojtëse dhe me pjesën e ngarkim/shkarkim merret dikush tjetër, çka bënë që këta shoferë të mos kenë kontakte fizike me njerëz të tjerë, prandaj kjo nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë. Lidhur me këtë OAK i është lutur Qeverisë që të ndërmerren masa urgjente dhe të mos rrezikohet ky sektor”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave./GazetaSinjali/