image Nuk pati shpërthim të zjarrit në PTK

Kosovë

Demantim/ Nuk pati shpërthim të zjarrit në PTK

news image

Shefi i Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi ka demantuar raportimet e disa mediave, se ka pasur zjarr në objektin e PTK-së sonte në Prishtinë.

“Nuk ka zjarr në Postën as Telekomin e Kosovës. Gjithçka është në rregull dhe demantojmë lajmin për gjoja “shpërthimin e zjarrit në Postën e Kosovës”, ka njoftuar Istrefi përmes një postimi në Facebook.

Shefi i Telekomit tha se punonjësit dhe zyrtarët e Telekomit janë në vendin e vet të punës dhe nuk ka kurrfarë zjarri në objektin apo zyrat e Telekomit.

“Telekomi i Kosovës është duke funksionuar normalisht, pa asnjë pengesë apo vështirësi. Qytetarët nuk duhet të kenë asnjë lloj shqetësimi për këtë informatë të pasaktë të lansuar me qëllime të caktuara. Ftojmë mediat që para çdo emetimi të lajmit, të marrin informata të sakta dhe zyrtare nga përgjegjësit për komunikim në Telekom, të cilët janë në dispozicion 24 orë çdo ditë të javës, për të konfirmuar çfarëdo shqetësimi para publikimit, për hir të informimit të saktë dhe objektiv”, tha Istrefi.

Se ka shpërthim zjarri në objektin e PTK-së, e ka mohuar edhe Policia e Kosovës.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës ka thënë se policia nuk është në dijeni të ketë pasur shpërthim të zjarrit në objektin e PTK-së.

“Nuk ka pasur raportime në polici për një gjë të tillë”, tha Hoxha./Gazeta Sinjali/