Policia e Shqipërisë, sot gjatë ditës, falë operacionit të koduar “Punisher 2” ka arrestuar pesë persona, dy prej tyre shtetas të Kosovës, nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkoktike nga Kosova për në Shqipëri. Pesë të arrestuarit u kapën në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, ku me vete kishin dërgesën prej 11,300 tabletash ekstazi (MDMA), me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.
Në mesin e të arrestuarve ishte edhe asamblisti i Vetëvendosjes [tashmë i shkarkuar nga partia], Besnik Mujeci, ku për këtë arrestim të bujshëm të tij, ka folur edhe gazetari nga Shqipëria, Arsen Rusta i cili ka treguar në detaje se si erdhi deri tek arrestimi i tij.
“Asamblisti Mujeci ka rënë në pranga për një vepër shumë të rëndë bëhet fjalë për droga sintetike, droga të cilat përtej qejfit që mund t’i përdorin të rinjtë, pasojat janë mjaftë të rënda, sepse drogat sintetike janë droga që shkaktojnë vdekje masive, probleme fizike, e halucinacione”, tha ai.
Rusta shton se ish-asamblisti kishte marrë rrugën nga Prishtina për në Shqipëri pasi ka parë në foto shumën e parave të dërguar nga “blerësi” i cili në fakt ishte një agjent i Policisë së Shqipërisë.
“Është një hetim i nisur prej katër muajsh, ku bëhet fjalë për një vajzë e cila është lidere e grupit, bëhet fjalë për tashmë të arrestuarën, Ambra Miftari e cila kishte kontakte me tre shtetasit kosovarë, por gjithashtu edhe anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje. Pasi ata janë siguruar dhe kanë parë me foto shumën e parave që do t’i paguajë blerësi, atëherë kanë marrë përsipër rrugën nga Kosova, nga Prishtina më saktë drejt Morinës, ku kanë kërkuar që shkëmbimi i drogës me para të bëhet në Morinë, pala shqiptare ka refuzuar dhe ka kërkuar që të bëhet në Tiranë”, tha gazetari Rusta në Kanal10.
Duke u bazuar gjithnjë në këto pretendime të gazetarit nga Shqipëria, ky grupi kriminal kishte menduar se po kryenin me të vërtetë një trafik droge ku do t’i merrnin hiç më pak se 30 mijë euro fitim, por në fakt ky shkëmbim do të rezultonte me prangosjen e tyre.
“Bëhet fjalë për një dorëzim të kontrolluar. Personit të cilit po iu shitej droga nga tre shtetasit e Kosovës me ndërmjetësimin e Ambra Miftarit si pjesë e grupit kriminal, ishte pikërisht një nga punonjësit e Policisë me pseudonimin “Fajkoi”. Ai ua ka dorëzuar 30 mijë euro pesë anëtarëve të grupit, dhe gjatë momentit të shkëmbimit me lëndën narkotike ka ndërhyrë policia”, tregoi ai.
Siç shtoi gazetari, kjo drogë nuk do të qëndronte vetëm në Tiranë, por e njëjta do të shpërndahej edhe në plazhet e Shqipërisë në zonën e jugut, Durrësti e Shëngjinit.