image Non-paper, Kurti në Bruksel, rryma për serbët në Veri e kthimi i Veselit nga Haga – Ngjarjet e javës që lamë pas

Kosovë

Non-paper, Kurti në Bruksel, rryma për serbët në Veri e kthimi i Veselit nga Haga – Ngjarjet e javës që lamë pas

news image

Javën që lamë pas janë shënuar disa ngjarje me rëndësi në vend, duke u nisur nga themelimi i Komitetit ndërministror për Kompleksin memorial “Adem Jashari”, deklarata e Shtëpisë së Bardhë pas spekulimeve për ndryshime kufijsh në Ballkan, vizita e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel e lirimi me kusht i Kadri Veselit nga Haga, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë të mërkurë pritet të arrijnë një kontingjent vaksinash antiCOVID nga Bashkimi Evropian në Kosovë. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, tha se të mërkurën vijnë rreth 5 mijë sosh.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për themelimin e Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Pjesë e komitetit ndërministror do të jenë: Albin Kurti, Hajrullah Çeku, Liburn Aliu, Rozeta Hajdari, Hekuran Murati, anëtarë i komitetit përfaqësues nga familja Jashari, Bekim Jashari, anëtarë nga Agjencia e Menaxhimit të Memorialeve, përfaqësueses nga shoqata e arkitektëve dhe nga shoqata e luftës.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se do ta udhëheq vetë ai këtë Komitet “për ta trajtuar me seriozitetin e merituar këtë proces”.

Në afatin më të afërt do të mbahet takimi i parë i komitetit për t’i diskutuar dhe votuar vendimet e rëndësishme në emër të mbrojtjes, zhvillimit dhe promovimit të kompleksit i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim”, ka shkruar Kurti.

Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucione kyçe evropiane dhe euroatlantike, thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Në të, zëdhënësi nënvizon se Washingtoni vazhdon të punojë me vendet e rajonit dhe partnerët e tij evropianë për të çuar përpara reformat në qeverisje, shtetin ligjor si dhe përpjekjet anti-korrupsion, si dhe për të mbështetur median e pavarur dhe një shoqëri civile energjike që do të forcojnë perspektivat evropiane të rajonit dhe do të avancojnë synimet afat-gjata për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.

Ne jemi të angazhuar të ndihmojmë vendet e Ballkanit Perëndimor të thellojnë partneritetet e tyre ekonomike, të arrijnë objektivat klimatike, t’i bëjnë rezistencë manipulimeve energjetike nga Rusia duke zhvilluar një sistem të larmishëm burimesh të energjisë së pastër, si dhe të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne gjithashtu duam të ndihmojmë rajonin drejt begatisë dhe rritjes ekonomike, ndërkohë që mbrohet infrastruktura dhe industritë e tij nga praktikat keqbërëse të Kinës”, thuhet në deklaratë.

Deklarata vijon më tej se “Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të mbështesin përpjekjet për një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar tek njohja e ndërsjellët, e cila të shërbejë si themel për bashkëpunim dhe begati të qëndrueshme”.

Në dokument, zëdhënësi Price shpreh mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dialogun me ndërmjetësimin e BE-së dhe u bën thirrje palëve të riangazhohen në proces me një frymë të nevojës urgjente për të adresuar temat teknike dhe politike.

“Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar Angazhimet e Washingtonit në mbështetje të synimeve për normalizim të plotë”, thuhet në deklaratë.

Më 28 prill kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një vizite në Bruksel ka thënë nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Kurti gjatë vizitës në Bruksel ka pasur një takim joformal me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak.

Ai zhvilloi një takim me kryeministrin e Belgjikës Aleksandar De Croo, për të vazhduar më pas me takimet në Komisionin Evropian.

Kurti është deklaruar edhe për “non-paper”, duke thënë se nuk mund të lejojnë ringjalljen e projekteve për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës.

Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-papers’ është më së miri t’iu përgjigjemi me ‘no comment’ (pa koment) sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë në kohë që nuk dihet autori dhe synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës”, ishte shprehur Kurti.

Sipas tij, Kosova duhet të shkojë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe se raportet në “Ballkan mund të rregullohen vetëm më dialog parimor”.

Të mërkurën është zhvilluar debat parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore.

Dy propozim rekomandime ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagimin e rrymës për serbët në katër komunat veriore.

Propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësin për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri.

Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serb në veri.

Propozimi i tij ishte që Qeveria tek e fundit të paguaj edhe gjashtë muaj, jo KOSTT.

Deputeti Uran Ismajli ka qenë kategorik që të ndërpritet mbulimi i shpenzimeve të energjisë elektrike për katër komunat veriore.

Deputeti Pal Lekaj tha se ngarkesa e KOSTT me 11 milionë euro është e pa tolerueshme.

Të mërkurën pritet të arrijë një kontingjent vaksinash anti-COVID nga BE në Kosovë

Një pjesë nga 95 mijë vaksinat kundër COVID-19, të ndara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të mbërrijnë në vend në mesin e javës së ardhshme, ka bërë të ditur komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai ka njoftuar se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajonit do t’i dhurohen vaksinat kundër koronavirusit, si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian.

Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht.

Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian.

Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza.

Gjykata Speciale të dielën ka konfirmuar për Gazetën Sinjali kthimin e Kadri Veselit në Kosovë.

Lirimi i tij u bë me kusht.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie të Veselit në Kosovë, për ta takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha për Sinjalin zëdhënësja Angela Griep.

Ndërkohë, edhe një burim i Sinjalit brenda EULEX-it, ka thënë se Policia e EULEX-it bashkë me Policinë e Kosovës, po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Arsyeja e kthimit të Veselit ishte pasi babai i tij, Fazli Veseli, është i shtrirë në Spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, dhe gjendja e tij është e rëndë.

Drejtori i Spitalit, Sadik Fejza, në një përgjigje për Gazetën Sinjali të dielën tha se “është në gjendje të përkeqësuar”.

“Është me një prognozë të pakënaqshme”, tha shkurt Fejza për Sinjalin./Gazeta Sinjali/