Dy të plagosurit në konfliktin e armatosur të së enjtes në “Lagjen e Spitalit”, ende janë duke u mbajtur në Klinikën Intensive në QKUK.
Shefi i Klinikës Intensive, doktor Shaqir Uka, në një prononcim për Telegrafin ka treguar për gjendjen e këtyre dy të plagosurve.
Uka ka thënë se njëri nga të plagosurit e ka gjendjen shumë të rëndë.
“Njëri nga pacientët vazhdon me qenë në gjendje shumë të rëndë edhe më tutje, për shkak të lëndimeve që ka. Ai është i varur prej aparatit”, ka thënë ai.
Ndërsa i plagosuri tjetër sipas Ukës e ka gjendjen stabile.
“Kurse tjetri pacient e ka gjendjen më stabile. E kemi larguar nga përkrahja e aparateve dhe po planifikojmë me e larguar nga Intensivja dhe me vazhdua tretmanin e mëtutjeshëm mjekësor në repart”, ka theksuar ai.
Në konfliktin e armatosur midis dy familjeve, të vdekur kanë mbetur Bashkim Mehmeti e Mefail Rafuna.
Arsyeja e këtij krimi dyshohet të ketë qenë një pronë.