Një tërmet i fuqishëm ka goditur ishullin e Kretës, në Greqi, paraditen e sotme, rreth orës 09:17.
Raportohet se tërmeti me magnitudë 5.8 i shkallës Rihter është regjistruar në thellësi vetëm 10 km pranë zonës Arvis, 23 km në veriperëndim të qytetit Iraklios.
Sipas informacioneve të para nga mediat greke raportohet se një person ka humbur jetën, ndërsa dëmet materiale janë të shumta.
Bëhet fjalë për një 58 vjeçar që ka humbur jetën pasi është shembur një pjesë e kishës në fshatin Arkalohori, ndërsa një i plagosur rëndë është shtetas shqiptar, i cili punonte në kishën që u dëmtua.
Gjithashtu, ka informacione për dy persona të lënduar në fshatin Patsidero dhe tre persona që janë bllokuar brenda një shtëpie, e cila ka pësuar dëme të mëdha në fshatin Arkalohori.
Gjithsej numri i personave të lënduar ka shkuar në 9.
Ndërkohë vazhdojnë të regjistrohen edhe lëkundje të tjera dy prej tyre me fuqi 3.7 dhe 4.5 shkalla Rihter, raporton Top Channel.
Sipas sizmiologut , Costas Papazachos, profesor në Universitetin Aristotelis të Selanikut, nuk ka gjasa që të ketë një tërmet tjetër më të fuqishëm se sa tërmeti kryesor.
Sipas tij në zonën Arkalochori, ka pasur aktivitet sizmik gjatë gjithë verës me tërmete të ulëta.