Pas ngjarjes së rëndë para pak ditësh në Tiranë, ku nëna me tre vajzat refuzonin ushqimin pasi besonin te ringjallja e trupit pas vdekjes, një tjetër rast është denoncuar në polici së fundmi.
Bëhet fjalë për një grua 52-vjeçare, banore ne Tiranë, e cila sipas Top Channel ka refuzuar ushqimin prej tre muajsh.
Nëna dhe 52-vjeçarja, e cila veçse e ka ndërprerë ushqimin janë izoluar në shtëpi. Madje, darka e fundit që e ka ngrënë me familjen ka qenë natën e vitit të ri.
“Dy kokrra mandarina në ditë ha, dy fije patatinë dhe një çikë djathë edhe ujë. Këto ka ngrënë ajo që tre muaj”, rrëfen e ëma.
Gazetarja: Po pse?
“Nuk më hahet thotë”, sqaron mamaja.
Ky është rrëfimi i nënës së Vjollcës, një inxhiniere ndërtimi, e cila darkoi për herë të fundit në natën e Vitit të Ri dhe më pas me argumentin se është sëmurë ajo refuzon të ushqehet. E bindur në fjalën e të bijës, e moshuara këmbëngul se Vjollca është sëmurë, megjithëse shton se tre vite më parë familja ia ndaloi të frekuentonte një grup fetar.
“Ia ndërpreva unë.”
Gruaja kujton se një vit më parë dy persona deshën ta takojnë, por ajo i refuzoi.
“Ata ishin me pantallona blu dhe me këmishë të bardhë”, deklaron e ëma.
E shtrirë në krevat, Vjollca këmbëngul se është sëmurë ndaj nuk ushqehet dhe se pas njoftimit, policia i kontrolloi shtëpinë dhe madje e çuan edhe në spital.
Gazetarja: Çfarë ndodhi që e le ushqimin?
Vjollca: Jam sëmurë.
Gazetarja: Si e kuptove ti që kishe problem shëndetësor?
Vjollca: Jam shumë e sigurt, ky është problem mjekësor.
Gazetarja: A je me dëshmitarët e Jehovait?
Vjollca: Jam sëmurë, po ata persona vazhdojnë më kërkojnë, ata janë të interesuar, sepse muhabeti im në një farë mënyre ka marrë zgjidhje.
Gazetarja: Çfarë problemi kishe ti që prisje zgjidhje?
Vjollca: Prisja zgjidhje që të arrija një besim, me ata persona të arrija besimin tim.
Gazetarja: E arrite?
Vjollca: Besimi im në një farë mënyre është përhapur, tani ka ngelur te ata persona, se unë e ndjej veten shumë sëmurë. Unë hyra sepse pashë diçka të vërtetë në besimin e tyre, jo plotësisht në atë besimin e plotë që ata kishin, sepse ata besojnë në një farë ringjalljeje të vërtetë, jo vetëm frymore.
Gazetarja: Beson te ringjallja?
Vjollca: Besoj.
Gazetarja: Që kthehesh bashkë me trupin sërish?
Vjollca: Po kthehesh, po në një trup të përjetshëm.
Sipas një burimi të Top Channel-it, ky rast është referuar në prokurori, që do të vlerësojë nëse gruaja është vërtetë sëmurë apo po përdor justifikime për të bindur të afërmit se nuk ka motive të tjera që i di në fakt vetëm ajo. /Gazeta Sinjali