Sot është mbajtur një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe homologut të tij norvegjez, Jonas Gahr Store. Me të përfunduar ky takim, të dy palët nxorën deklarata, mirëpo dallonin nga njëra-tjetra, shkruan Gazeta Sinjali.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që për këtë takim të nxjerrë një përshkrim të thjeshtë, duke thënë se Norvegjia është shtet mik i Kosovës dhe se kanë folur rreth bashkëpunimit mes dy shteteve.
Mirëpo, qeveria norvegjeze ka nxjerrë një njoftim më të detajuar sa i përket këtij takimi. Në njoftim, thuhet se Store me Kurtin bisedoi për dialogun Kosovë – Serbi dhe qëndrimin e Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
“Në takim, gjithashtu u diskutua për rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë, të cilin e dënuan ashpër të dy kryeministrat”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Poashtu, kryeministri Store, ka thënë se është i zhgënjyer që Kurti nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që ulin besimin mes tyre. Prandaj, shfrytëzova rastin gjatë takimit tonë për të shprehur zhgënjimin tim që Kosova nuk po lejonte që zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizoheshin në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet e mëparshme”, citohet të ketë thënë Store”, ka thënë kryeministri norvegjez.