image Një sasi e vaksinave të dhuruara nga Norvegjia kanë afat përdorimi veç edhe një javë

Shëndetësi

Një sasi e vaksinave të dhuruara nga Norvegjia kanë afat përdorimi veç edhe një javë

news image

Në fillim të këtij muaji Ministria e Shëndetësisë ka pranuar një donacion prej 182,900 vaksina të AstraZenecës nga Norvegjia. Pranimi i këtyre vaksinave u përcoll me debate ndërmjet pozitës dhe opozitës, shkruan Gazeta Sinjali.

Kishte qenë deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ai që kishte shkruar se vaksinat e pranuara nga Norvegjia janë me afat të skaduar.

Mirëpo nuk u desh shumë kohë që ky lajm të demantohej nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe  Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kujdesit të Norvegjisë, Saliba Andreas Korkunc.

Ai kishte pohuar se një pjesë të këtyre vaksinave do tu skadojë afati më 31 korrik, mirëpo sipas tij të gjitha kanë ardhur me afat në Kosovë.

“Në total 12 mijë e 500 doza skadojnë më 31 korrik, pjesa tjetër prej 170 mijë e 400 skadojnë më 31 gusht”, kishte thënë Korkunc.

Ndonëse tashmë ka kaluar thuajse një muaj që nga pranimi i këtij donacioni të dozave të vaksinës AstraZeneca, institucionet ende nuk kanë bërë të ditur edhe sa nga këto vaksina kanë mbetur të pa shfrytëzuara.

Kurse institucionet dhe udhëheqësit e shtetit po vazhdojnë tu bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që ende s’janë vaksinuar, që të caktojnë terminet për vaksinim në platformën E-Kosova ose në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, për t’u mbrojtur nga varianti Delta.

“Vaksinat i kemi siguruar. Ato janë të sigurta. Kosova është vendi i vetëm në rajon që po përdorë vetëm vaksinat e aprovuara nga Agjencia Federale e Barnave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Agjencia Evropiane e Barnave, pra Pfizer dhe Astrazeneca. Tani mund të vaksinohen të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç dhe mund të zgjedhin vaksinën që dëshirojnë ta marrin”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Kurse Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ditë më parë u kishte bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen kundër COVID-19, pasi sipas tyre vetëm kështu mund të evitohet mbyllja nga pandemia.

“Mos lejoni mbylljen e të gjithëve nga pakujdesia e disave”, kishin shkruar ata në Facebook.

Ndërkaq thirrje për tu vaksinuar kanë bërë edhe infektologë të shumtë të cilët kanë pohuar se të dyja llojet e vaksinave që janë duke u dhënë në Kosovë janë të sigurta.

Njëri ndër ta është Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës, i cili ka thënë se nuk ka pasur fushatë të strukturuar për vaksinim.

“Ka pasur edhe informacion se disa nga vaksinat kanë pasur një afat të shkurtër, por megjithatë ato kishin afat, por edhe kjo mund të jetë një pjesë e atyre dezinformatave që qytetarët t’i shmangen vaksinimit”, tha Kodra për RTV 21.

“Duhet të vaksinohen për t’iu shmangur vdekjeve, infektimeve e mbylljes eventuale”, kishte shtuar ai./Gazeta Sinjali/