Gjykata Themelore në Prizren e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë së shkallës së parë të këtij rajoni për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.K, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi”, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e kësaj mase dhe nga provat e mbledhur deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se G.K, ka përfituar para, duke u paraqitur si punonjës i Kuvendit dhe me ndikim te prokurorët.
Sipas aktakuzës, i dyshuari më 22 shkurt në Prizren, duke paraqitur fakte të rreme apo duke i fshehur faktet me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, e ka mashtruar të dëmtuarin T.M, duke ia marrë 2 mijë e 650 euro.
G.K, i kishte premtuar qytetarit se do t’i ndihmonte ta nxirrte nga burgu një familjar të tij, duke i thënë se ka ndikim te prokurorët. Madje, ai ia kishte përmendur edhe emrin e një gjyqtari.
Për shkak të këtyre dyshimeve të bazuara, gjykata ia ka caktuar të dyshuarit G.K, masën e paraburgimit prej një muaji. Kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet nga 22 shkurti deri më 22 mars të këtij viti.
“Gjykata, konsideron se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare, si dhe duke marrë parasysh edhe karakteristikat e të pandehurit për të cilin shihet se ka një mori veprash penale nga databaza e Policisë së Kosovës, ashtu që caktimi i paraburgimit nga kjo bazë ligjore është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për rrjedhën normale të kësaj procedure penale”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi./Gazeta Sinjali/