image Një kandidat për deputet nga PDK-ja dyshohet për “uzurpim prone” e “kanosje”, ka aktakuzë të ngritur

Drejtësi

Një kandidat për deputet nga PDK-ja dyshohet për “uzurpim prone” e “kanosje”, ka aktakuzë të ngritur

news image

Kur vendi është në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit dhe tashmë janë bërë publike listat e kandidatëve për deputetë, synimi është që të verifikohen këto lista e potencialisht të shihet nëse ka kandidatë me dënime të formës së prerë, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali në vazhdimësi po raporton për persona të cilët kanë aktakuza të ngritura e që tentojnë të sigurojnë ulëse në Parlament. Dyshime për ngritje të aktakuzës ka edhe ndaj kandidatit për deputet nga Partia Demokratike, Kastriot Krasniqit, i cili ia mësyn zgjedhjeve të 14 shkurtit me numrin 92.  

Enver Kabashi nga Prizreni pretendon se është kërcënuar nga kandidati në fjalë në qershor të 2019-s dhe krejt ka pasuar pas një incidenti rreth një prone. Kësisoj, pas evidentimit të rastit edhe ishte ngritur aktakuzë ndaj tij.

Prokurori i Shtetit, gjithnjë sipas dokumenteve të siguruara, ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit dhe të tjerëve (emra të njohur për redaksinë) me datë 03.10.2019, në mbështetje të nenit 240, 241 dhe 242 të Kodit nr 04/L-123 të Procedurës Penale.

Sipas Prokurorit, me veprimet e Kastriot Krasniqit dhe gjashtë të tjerëve të dyshuar, janë kryer veprat penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme nga neni 320 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, neni 31 dhe neni 77, i Kodit nr.06/L-074 të Kodit Penal të Kosovës”. Gjithashtu, ndaj Krasniqit rëndon edhe vepra penale “Kanosje” nga neni 181 paragrafi 2 i KRPK-së, nr 06/L-074.

Nga dokumentet e siguruara nga Sinjali, ish-pronari i pronës Asaf Agallari ia kishte shitur pronën Kabashit, megjithatë, Krasniqi me disa familjarë pretendonin se është prona tyre.

Kabashi ka dërguar në adresë të Sinjalit edhe dokumentet përkatëse lidhur me rastin, ku dyshohet se Krasniqi me disa të tjerë e ka kërcënuar lidhur me pronën në fjalë.

 “Nga data 24.06.2019 e në vazhdimësi, në Prizren, saktësisht në rrugën “Liman Shala” në lagjen “Bajram Curri” në vendin e quajtur “Buzagilak” me dashje uzurpojnë pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në ngastrën kadastrale nr.06856-1, Prizren, në sipërfaqe prej 7790 metër katror, në atë mënyrë që edhe pse të dyshuarit janë dëbuar prej pronës së paluajtshme me vendim të gjykatës – urdhrin përmbarimor të përmbaruesit privat, përkundër largimit nga kjo pronë dhe dorëzimi të pronës blerësit legjitim – të dëmtuarit Enver Kabashi, si dhe ndalesës që kishin në procesverbalin e përmbaruesit privat të datës 18.07.2019, me të cilin procesverbal u është bërë e ditur që mos të kenë qasje në pronë”, thuhet ndër tjera.

“Të pandehurit vendosin shtylla dhe bëjnë rrethimin e një pjese me rrjetë në dy prej të cilës vendosin nivelizimin me zhavorr, kurse një pjesë tjetër është vendosur edhe beton po ashtu është shkarkuar një sasi e tullave të betonit. Të gjitha këto veprime me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme të pronës së paluajtshme me ç’rast të dëmtuarit Enver Kabashi i shkaktojnë dëme materiale”, thuhet në aktakuzën e prokurorit, të siguruar nga Sinjali.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, aktakuza ndaj Krasniqit dhe të tjerëve është ngritur më 03.10.2019, Krasniqi që në atë kohë ishte asamblist në Kuvendin Komunal të Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi se Kastriot Krasniqi, bashkë me të tjerët nga data 24.06.2019  kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të Enver Kabashit, e cila edhe në ngastrën kadastrale rezultonte në emër të Kabashit.

“Me datë 24.05.2019, në kohën kur përmbaruesi privat kishte dalë në ekzekutim të vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prizren, për lirimin e pronës nga uzurpimi, i pandehuri Kastriot Krasniqi, A.K dhe Rr.K, seriozisht kanosin të dëmtuarin Enver Kabashi dhe Asaf Agallari, me fjalët se “do t’i privojnë nga jeta””, thuhet tutje në aktakuzë.

Siç theksohet në aktakuzë, Krasniqi dhe të tjerët janë dëbuar prej pronës me vendim të gjykatës dhe me urdhër përmbarimor të përmbaruesit privat, por përkundër kësaj, Krasniqi dhe të tjerët ishin kthyer në pronën në fjalë duke pretenduar se është në emër të tyre.

I pandehuri Kastriot Krasniqi, në deklaratën e dhënë në prokurori me datë 01.08.2019, ka mohuar ta ketë bërë ndonjë kërcënim, megjithatë, shihet se ka pranuar se ka shkuar në vendin e përmendur më lartë.

Pasi kam filluar punën, me datë 01.08.2019, diku rreth orës 13:30 apo 14:00, më ka thirrur axha im dhe më ka thënë se Enver Kabashi (emër që e kam dëgjuar për herë të parë), kanë biseduar dhe kanë lënë takim. Unë i thash axhës se nuk vi te shtëpia e Enverit pa e marrë edhe një person me vete. E kam marrë SH.B dhe kemi shkuar te Enveri. Ai ka dalë dhe ka filluar të bisedojë me axhën në lidhje me pronën. Axha i ka thënë se ne e kemi blerë në vitin 1958, por ai ka thënë se e kishte blerë nga ish-pronari Asaf Agallari”, thuhet ndër tjera në deklaratën e Krasniqit.

Megjithatë, një tjetër familjar i Krasniqit, K.K (emër i njohur për redaksinë), në deklaratën e tij pohon se ishte e ditur që prona ka qenë e Asaf Agallarit.

“E di se pronar ka qenë Asaf Agallari dhe ia ka shitur pronën Enverit, por sa herë ai do nuk mundet me shitë. Pas datën 18.07.2019 ne kemi hyrë në këtë pronë dhe kemi vendosur themelet për ndërtimin e shtëpive por na ka ndaluar Inspektorati i Ndërtimit punimet”, është shprehur i dyshuari tjetër, familjar i Krasniqit.

Gazeta Sinjali e ka pasur të pamundur të bie në kontakt edhe me Krasniqin, për të marrë një qëndrim prej tij rreth rastit.

Aktakuza është ngritur pas provave të siguruara nga deklaratat e Kabashit, Krasniqit dhe të tjerëve, të cilat për prokurorin, theksohet se ishin të mjaftueshme.

“Rrjedhimisht,  gjatë hetimit të të pandehurve është siguruar bazë e mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës”, thuhet në vendim.

Prokurori gjithashtu thekson se nga procesverbali nr.0011132 të datës 22.07.2019, i lëshuar nga Drejtoria e Inspektorëve Komunal të Prizrenit, i përpiluar në vendin e ngjarjes nga Inspektorët e ndërtimit, lidhur me ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore, është vërtetuar se të pandehurit pas zbrazjes dhe lirimit të pronës nga përmbaruesi privat me datë 18.07.2019 përsëri kanë hyrë dhe kanë filluar objekte ndërtimore, me ç’rast, u janë ndaluar të gjitha punimet.

 “Nga procesverbali nr.421/2018 i datës 24.06.2019, i përpiluar nga përmbaruesi privat Enis Hoxha, procesverbali nr 421/2018 i datës 18.07.2019, i përpiluar nga Hoxha, në vendin e ngjarjes vërtetohet fakti se me kërkesë të kreditorit, ish-pronarit Asaf Agallari, është bërë lirimi dhe zbrazja e pronës me numër të njësisë kadastrale P-71813068-06856-1, në sipërfaqe prej 7790m katror, në vendin e quajtur “Buzagilak”, thuhet në vendim.

Theksohet se është vërtetuar gjithashtu se prona është në emër të Enver Kabashit.

Kabashi në një deklaratë për Gazetën Sinjali ka ritheksuar se prona është në emër të tij por Krasniqi me familjarë, tentuan t’ia uzurponin.

“Këtë pronë e kam blerë që 2 vjet. Sa i përket dokumenteve të gjitha janë në rregull. Prona ime është uzurpuar nga familja Krasniqi si dhe Kastriot Krasniqi. Krasniqi është i akuzuar për dëmtim, uzurpim, kërcënim dhe dëmtim të pronës, prandaj edhe prokuroria i ka ngritur 4 deri 5 aktakuza ndaj tij”, u shpreh Kabashi.

Prokurori i Shtetit, Shahadin Destani, nga dokumenti i siguruar nga Sinjali, ka vlerësuar se aktakuza e mësipërme është e drejtë dhe e ligjshme.

/Gazeta Sinjali/