Arbër Kallxhia, njëri prej shqiptarëve të evakuuar nga Izraeli, mbrëmë në orët e vona ka mbërritur në Tiranë. Ai ndodhej në Izrael kur ndodhi sulmi.
Kallxhiu ka treguar arsyet pse ka shkuar në Izrael e po ashtu edhe përjetimet e tij në momentin e sulmit.
“Kam qëndruar rreth 1 vit në Izrael. Ika për punë. Kisha ca miq që punonin atje dhe me ftesë së tyre shkova atje. Kisha vizë 3-mujore dhe më pas aplikova për leje qëndrim. Më parë punova barist, më pas jam marrë me impiantet e gazit. Jetoja 10 km larg Tel Aviv. Unë isha në gjumë kur ndodhën bombardimet, isha në shtëpi. Një ditë më përpara kishte festa, ishte edhe Vit i Ri dhe njerëzit ishin shumë të qeshur. Nuk kishte fare tensione. Orët e para të mëngjesit filluan alarmet, kishin rënë 10-15 herë të tjera dhe isha mësuar me to. Duhet të futesh në streha kur bie alarmi. Kishim filluar duke i nënvlerësuar këto alarme. Por atë ditë, sistemi i mbrojtjes së Izraelit u bllokua. Bombat filluan duke rënë në qytet. Ishte ora 7 e mëngjesit dhe filluan bombardimet. Në fillim isha përgjumshëm, u mundova të gjeja një palë pantollona në bodrum dhe qëndrova në bodrum dhe pastaj filluan raketet, u bënë alarmet më serioze, zhurmat e shpërthimi. Për 3 orë, 3 mijë raketa kanë rënë. Njerëzit u alarmuan, kalamajtë në gjendje shoku në bodrum. Qëndrova në bodrum”, u shpreh ai.
Ai ndër tjera tregoi edhe për vendimin për t’u kthyer në Shqipëri dhe fitimin e një mundësie të tillë.
“Doja të kthehesha që atë ditë por ishte e pamundur ngaqë kishte shumë terroristë. Nuk kishte shërbim transporti. Nga ora 9 filloi bombardimi i dytë dhe pastaj filloi kaosi, ankthi dhe duhej të pritja ditën e nesërme që të ikja. Familja komunikoi me ambasadën shqiptare. Në një moment, më merr ambasadorja, pastaj online porosita një taksi që më erdhi dhe ika në aeroport, aty kishte shumë shqiptarë. Aty kemi marrë 9 amerikanë me vete. Ne ishim 40-50 veta atje. Këto rroba kisha që i kisha lënë tek shtëpia. Tani kam ankth akoma”, shtoi ndër tjera ai në “Opinion” në Tv Klan.