Nesër do të hapen shkollat në Kosovë për fillimin e vitit të ri shkollor, 6 muaj pas mbylljes me vendim të qeverisë, me qëllim të parandalimit dhe kontrollit të përhapjes së koronavirusit, shkruan Gazeta Sinjali.
Një ditë para fillimit të vitit shkollor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit, duke rekomanduar zbatimin e rregullave të reja në shkollë, për ruajtje të shëndetit.
Ky institut thotë se e ka prioritet shëndetin e fëmijëve dhe se çdo rast i dyshimtë i infektimit premton se do të hulumtohet dhe gjurmohet menjëherë.
“Instituti Kombëtar është në mbikëqyrje të vazhduar të situatës epidemiologjike e në veçanti prioritet e ka shëndetin e fëmijëve. Çdo shkollë do ta përcjellë shëndetin e çdo nxënësi përmes Task Forcës së saj dhe Task Forcës komunale duke bërë të mundur identifikimin në kohë reale. Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes te fëmijët do të hulumtohet dhe gjurmohet menjëherë”, thuhet në urimin e IKSHPK-së./Gazeta Sinjali/