Një njoftim me mal gabimesh drejtshkrimore ka bërë dega e Partisë Demokratike në Klinë.
Postimi në nivel të analfabetizmit funksional, shpërfaq nivelin e tmerrshëm të njohurive nga gjuha amtare, i cili ka kapur majat e partive politike në nivel lokal e qendror.
Gruaja Demokratike, dega në Klinë ka njoftuar me një gjuhë të çalë për vizitën e kreut të kësaj partie, Kadri Veselit në këtë komunë.
Në një postim prej tri fjalish, Sinjali ka identifikuar hiç më pak se 30 gabime drejtshkrimore përfshirë edhe titullin e faqes së kësaj dege në facebook.
Kjo degë, përmes njoftimit me inflacion të shkronjës “ë” të vendosur vend e pa vend, ka ftuar gratë të dalin në piknik me Kadri Veselin te lokacioni i quajtur “Guri i Zi” me qëllim, siç kanë thënë, për tu frymëzuar për fitore.
Shkollat dhe universitetet, sidomos ato private, të vërshuara prej pasluftës në Kosovë dhe të hapura si pjesë e fushatës politike të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk po japin efektin minimal të shkollimit as për vetë këtë subjekt politik, i cili ka politizuar këtë sistem duke e degraduar në shkallën më të ulët. /Sinjali/