Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, kanë shuar zërat për një mosmarrëveshje ndërmjet tyre duke thënë se nuk do të ndahen nga Grupi Parlamentar.
Ndonëse garuan së bashku në zgjedhjet e 6 tetorit, Nisma-AKR, këtë legjislaturë nisën me deklarata kundër njëra-tjetrës.
Shefi i Grupit Parlamentar i koalicionit Nisma- AKR, Haxhi Shala, ka thënë se grupi prej 6 deputetëve mund të kenë qëndrime të ndryshme lidhur me ndonjë vendim por kjo nuk është arsye për t’u ndarë grupi parlamentar.
“Ne jemi si grup parlamentar prej 6 deputetëve, nuk kemi ndasi. Po mendimet, për votimet kemi qëndrime, i kemi jo vetëm si grup, si dy deputët të AKR-së, por lirinë e kemi të gjithë deputetët që të vendosin vet. Nuk kemi presion që kështu duhet apo jo. Ne si deputetë vendosim për çështje tona. Është një mendim ose punë e Pacollit me i dhënë mbështetje votimit të qeverisë Kurti, por nuk kemi ndarje, siç po quhet, jo ata votuan dhe u nda grupi. Nuk kemi”, ka thënë Shala.
Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, Nisma-AKR, kanë garuar si koalicion i përbashkët, derisa me vështirësi të mëdha e kanë kaluar pragun zgjedhor./ Gazeta Sinjali/