image Nisja e vitit të ri shkollor, rekomandohet zbatimi i politikës “nëse nuk ndihesh mirë – qëndro në shtëpi”
[wp-story id="814678"]

Shëndetësi

Nisja e vitit të ri shkollor, rekomandohet zbatimi i politikës “nëse nuk ndihesh mirë – qëndro në shtëpi”

news image

Për vitin e ri shkollor 2020/2021, i cili fillon më 1 shtator, Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar mundësitë sesi të bëjnë hapjen e shkollave në mënyrë të sigurt për shkak të pandemisë së COVID -19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, rekomandon se çdo shtet që vendos të hap shkollat, duhet të zbatojë masat për të parandaluar transmetimin e COVID-19. OBSH-ja thotë se duhet zbatuar verifikimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit përcjellës si dhe të zbatohet politika e ashtuquajtur “nëse nuk ndihesh mirë – qëndro në shtëpi”.

Përveç kësaj, masat e rekomanduara janë: mbajtja e distancës fizike të fëmijëve në klasa; larja e shpeshtë ose dezinfektimi i duarve me dezinfektues; mbajtja e higjienës; mbajtja e distancës fizike; rritja e ventilimit përmes ajrit natyral të hapësirës së shkollave dhe vendosja e maskave.

Ndërsa, mikrobiologu Lul Raka, thotë se duhen zbatuar rekomandimet e kësaj organizate.

“Nxënësit duhet të edukohen për higjienën e duarve, higjienën respiratore, si dhe simptomat e COVID-19. Distanca duhet të jetë 1.5 metra në çdo drejtim. Kurse hapësira duhet të jetë një nxënës në një bankë. Numri i nxënësve përcaktohet nga madhësia e klasës. Preferohet mbajtja e maskave edhe pse kjo varet nga mosha. Te cikli i ulët shkollor është më vështirë të zbatohet kjo masë parandaluese”, ka thënë ai për REL.

Raka shprehet se dezinfektimi i shkollave duhet të bëhet çdo ditë në fund të ditës si dhe duhet të ajrosen klasat në pauzat ndërmjet orëve.

“Po ashtu duhet të shmangin grumbullimin në oborr gjatë pauzave. Në oborr mund të ketë aktivitete sportive grupore të klasës, por me kujdes të shtuar. Në hapësirat e mbyllura nuk duhet të ketë aktivitete të tilla”, shtoi ai.

Bazuar në raportin e publikuar të OBSH-së dhe UNICEF-it, 43 për qind e shkollave në mbarë botën nuk kanë qasje në ujë dhe sapun për larjen e duarve. /Gazeta Sinjali/