Tërmetet e 6 shkurtit në Turqi dhe në Siri iu morën jetën më shumë se 50 mijë personave, duke lënë pas me mijëra ndërtesa të shkatërruara totalisht.
Kjo ngjarje ngriti alarmin për rrezikun që i kanoset Stambollit, qytetit me më shumë se 15 milionë banorë në Turqi, për shkak se gjendet në një tjetër zonë me aktivitet shumë të lartë sizmik, madje edhe ekspertët janë shprehur se rreziku është evident për një goditje të fuqishme.
Kjo situatë ka vënë në lëvizje ekspertët dhe zyrtarët në Turqi për të siguruar ndërtesat të vlerësuara si më të rrezikuara. Ekrem İmamoğlu, kryetar i bashkisë së Stambollit, është shprehur se do të përdoret metoda e fibrave të karbonit, e cila shton qëndrueshmërinë e ndërtesave në rast tërmeti.
“Ne kemi humbur 25 vite në ndërtim, por të presësh më gjatë mund të ishte një ftesë për vdekje. Për këtë arsye, ne do të përdorim metodën e fibrave të karbonit. Ne do të paguajmë koston për banesat, ndërsa më pas do të shlyejnë me këste banorët për 3 vjet. Kështu ne do të minimizojmë ndjeshëm rrezikun”, tha İmamoğlu raporton A2News.
Çfarë është metoda e fibrave të karbonit
Kjo metodë nënkupton veshjen nga jashtë të materialeve të betonit dhe të drurit me anë të një materiale prej fibrave të karbonit. Kjo rrit ndjeshëm qëndrueshmërinë e ndërtesës, ndërsa shton edhe elasticitetin. Ky është një material i lehtë dhe nuk shkak ngarkim të strukturës. Pëlhura e fibrës së karbonit është shumë e hollë, por është një nga materialet më të forta në botë. Ajo është 14 herë më rezistente në tërheqje se çeliku, ndërsa ka një peshë sa 1/5 e çelikut.