image Ngritet aktakuzë ndaj zv/drejtorit të gjimnazit në Malishevë që sulmoi seksualisht nxënësen

Drejtësi

Ngritet aktakuzë ndaj zv/drejtorit të gjimnazit në Malishevë që sulmoi seksualisht nxënësen

news image

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër zëvendësdrejtorit të Gjimnazit “Hamdi Berisha”, në Malishevë, Atom Krasniqit, për sulm seksual ndaj një nxënëse, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas Prokurorisë, Atom Krasniqi më 16 dhjetor të vitit 2021, në cilësi të zëvendësdrejtorit të shkollës, me qëllim seksual dhe pa pëlqimin e saj e prek nxënësen, këtu të dëmtuarën-e mitur E.K.

Zëvendësdrejtori po akuzohet se e kishte mbyllur të miturën në banjon e shkollës, ku kishte filluar ta sulmonte seksualisht.

“E njëjta pasi del nga salla e sportit dhe shkon në tualet, aty hynë i pandehuri dhe e mbyll derën, ku fillimisht i drejtohet të dëmtuarës me fjalë provokuese e më pas e prek me duar në pjesë të ndryshme të trupit, ku e dëmtuara është larguar e trishtuar dhe e frikësuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente që ai të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/