image Ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit që në emër të AKP-së ka shitur asetet në Bosnje dhe Mal të Zi

Drejtësi

Ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit që në emër të AKP-së ka shitur asetet në Bosnje dhe Mal të Zi

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Shaban Muja në drejtim të veprave penale mashtrimi, falsifikimi i dokumenteve si dhe veprën penale prezantimi i rremë si person zyrtar.

Gazeta Sinjali kishte raportuar për arrestimin e Shaban Mujës, i cili dyshohej për falsifikim dokumentesh, mashtrim e prezantim i rremë si person zyrtar i AKP-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ka mashtruar një numër të të dëmtuarve në qytetin e Tuzllës të Bosnje e Hercegovinës dhe në Podgoricë të Malit të Zi.

Prokuroria njofton se përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), si dhe prezantimit të rrejshëm si person zyrtar, kinse i autorizuar nga zyrtari i AKP-së ka shitur dy prona të NSH “Jatex” të Gjakovës, në qytetet e lartcekura, e të cilat prona gjenden nën menaxhimin dhe administrimin e AKP-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit, njofton Prokuroria.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/