image Mbi 80 për qind e qytetarëve në Prishtinë jetojnë në shtëpi të vjetra, mbi 15 për qind në shtëpi të shkatërruara - Sinjali

Mbi 80 për qind e qytetarëve në Prishtinë jetojnë në shtëpi të vjetra, mbi 15 për qind në shtëpi të shkatërruara

news image

Komuna e Prishtinës ka bërë prezantimin e hulumtimit “Vlerësimi i nevojave të familjeve të skemës sociale”, qëllimi i të cilit është paraqitja e një pasqyre të qartë të gjendjes sociale reale në Prishtinë dhe ndërtimi i politikave për përmirësimin e gjendjes aty ku ka nevojë.

Dashamir Bërxulli, dekan i Fakultetit Filozofik në Departamenti e Psikologjisë, tha se ky projekt është kryer në bashkëpunim me botën akademike me institucionet publike të Kosovës.

“Bëj thirrje që institucionet publike të bashkëpunojnë edhe më shumë me Universitetin e Prishtinës”, deklaroi Bërxulli.

Psikologia, Tringa Mehmeti, tha se bashkë me komunën kanë përpiluar dy pyetësorë, të cilat i janë adresuar familjeve të cilat janë me skemë sociale.

“Administrimi i pyetësorëve është bërë me ndihmën e anketueseve, të cilët kanë qenë studentë të shkencave sociale ose të sapo diplomuar të këtyre degëve”, bëri të ditur Mehmeti.

Premtim Fazliu koordinator në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale tha se kanë arritur që hulumtimi të realizohet në 1 mijë e 114 familje apo 57.4%.

“Apartamentet banesore 18.1%, shtëpi e re në gjendje të mirë 23.2%, shtëpi e vjetër në gjendje relativisht të mirë 81.7%, shtëpi e shkatërruar 15.1%, akomodim për refugjatë (kamp ndërtesë e adaptuar) 0.8% , tjetër 2.4%”.

Tutje Fazliu tha se sipas këtij hulumtimi  çështja e strehimit, qoftë të përhershëm ose i përkohshëm nuk përbën shqetësim.

“Prona ku jetojnë në 60.5% të rasteve është i ndonjë anëtari të familjes, 17.7% të afërmve, 13.5% jashtë familjes, 4.8% komunës/shtetit dhe të tjerë. Qiraja e paguar ndryshon nga 50 deri në 320 euro ne muaj me qira mesatare prej 130 euro për muaj”, deklaroi Fazliu.

Sa i përket ekonomisë dhe shpenzimeve ka rezultuar se për ushqim raportojnë të shpenzojnë nga 5 deri në 600 euro në muaj me mesatare prej 137 euro në muaj.

Sa i përket financave, shumica dërmuese 80% raportojnë hyra në mes 101 deri 300 euro, 17% në mes 301 deri 500 euro dhe pjesa tjetër mbi 500 euro.

“39% të familjeve raportojnë se të kenë huazuar para dhe kryesisht nga familjarë apo miq 81% pasuar nga bankat tregtare me 12 dhe 3% nga huamarrës joformal. Shumat e huazuara janë nga 10 euro deri në 50.000 euro. Shuma mesatare e huazuar është 854 euro me këste mujore mesatare prej 40 euro në muaj”, deklaroi Fazliu.

Sa i përket borxheve shërbimet publike sipas këtij hulumtimi ka rezultuar se 47% raportojnë të kenë borxhe për ujësjellës nga 1 deri në 5000 euro më një mesatare prej xx euro. 46% raportojnë të kenë borxhe për rrymë elektrike nga 10 deri në 30000 euro me një mesatare të borxhit prej xx euro.

Fazliu tregoi se kur respodentët  janë pyetur se cili ka qenë sëmundja më e rëndë që ka vuajtur ndonjë anëtarë i  familjes është raportuar si në vijim: 50.2% ftohje ose gripi, COVID-19 6.4%, dhimbje në shpinë/gju 3.3%, problemet psikologjike 4%, tjetër 30%, raporton EO.

Ky hulumtim është kryer në bashkëpunim me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës me Departamentin e Psikologjisë në Universitetin “Hasan Prishtina”./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin