image Ambasadorët e QUINT-it kërkojnë zbatimin e vendimit të Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

Politikë

Ambasadorët e QUINT-it kërkojnë zbatimin e vendimit të Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

news image

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës shprehen të shqetësuar për moszbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit, raporton Gazeta Sinjali.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë vlerësojnë se moszbatimi i këtij vendimi minon zotimin e Qeverisë Kurti për zbatimin e sundimit të ligjit.

“Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Deklaratë e shefave të misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbesin të shqetësuar që përkundër nxitjes së vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vetë gjyqësori i Kosovës, institucionet kosovare ende nuk e kanë zbatuar plotësisht regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

Moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur. Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik.Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës./GazetaSinjali/